Rreth 400 punëtorë të sektorit privat nga java e ardhshme në protestë

Rreth 400 punëtorë të sektorit privat nga java e ardhshme në protestë

Janë rreth 400 punëtorë të sektorit privat që nga java e ardhshme (e hëna dhe e marta) do të dalin në protestë për të kërkuar kushte më të mira të punës dhe rritje të pagës minimale në shumën prej 350 eurosh.

 Punëtorët të cilët do të dalin në protestë dhe në grevë, në rast se nuk do të përfillën kërkesat e tyre, janë punëtorë teknik që punojnë në Rektorat, Komunën e Prishtinës dhe Qendrën Studentore.

 Kështu ka bërë me dije për gazetën “Epoka e re”, kryetari i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi. “Ne vetëm në tri institucione që parashohim protesta dhe greva kemi rreth 400 anëtarë, pra janë punëtorët që kryejnë shërbime për Komunën e Prishtinës përmes kompanisë private, në Rektorat dhe në Qendrën e Studentëve. Ne kemi pranuar atë rritje, por kërkesa ka datuar nga viti 2011 dhe Komuna e Prishtinës ka nxjerrë vendim, dhe këto janë çështje të ndara. Komuna ka kryer vetëm një kërkesë tonën, kërkesa tjetër është që në minimum paga të jetë 350 euro, kurse rritja është bërë vetëm 4 për qind që do të paguhet në mënyrë retroaktive nga 1 janari 2020. Pra, një pjesë e kërkesës sonë është kryer, kurse pjesa tjetër ende”, ka thënë Azemi.

 Po ashtu, ai ka kërkuar që këta punëtorë të kthehen nën menaxhimin e shtetit dhe jo të punojnë për kontraktues privat. “Po të ishte një qeveri dhe udhëheqje serioze, jo që do të ishte e mundur por tani do të kryhej. Besoj se këta njerëz që i kanë bërë këto veprime do t’i ndjekin penalisht, pasi  janë të privatizuar në mënyrë të jashtëligjshme dhe ne do t’i ndjekim të gjithë hapat”, ka thënë Azemi.


MË SHUME NGA Ekonomi