
VIDEO-Mbjellja e grurit po shkon drejt përmbylljes
Mbjellja e grurit po shkon drejt përmbylljes. Deri tani janë mbjellë rreth 60 % e sipërfaqes së planifikuar për këtë vit. Fermerët, ekspertët dhe zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë thonë se mbjelljet janë brenda afatit optimal. Si kulturë njëvjeçare, mbjellja e grurit ndryshon nga viti në vit.
Visar Krasniqi, RTK
Fermeri Skënder Hyseni po kujdeset për procesin e mbjelljes në arat e tij, ku ka vendosur të kultivojë grurin për viti të ardhshëm. Sivjet ka vendosur të mbjellë më shumë grurë, pavarësisht se viteve të kaluara nuk kishte kaluar mirë me të mbjella.
“ Jemi duke mbjell mbi 50 hektar, e ndoshta po shkojmë edhe më shumë. Problemin e kemi me farën, dhe nuk po guxojmë të blejmë far nga jashtë, po e përdorim tonën, sepse e kemi përpunuar”.
I apasionuar si fermer, Hyseni thotë se shteti duhet të ketë më shumë kujdes për ta. “Kemi probleme me derivate, e paguajmë njëjtë sikur për bujqësi e sikur për vetura, po besoj që ministria duhet me na ndihmu me derivate, me na zbritë së paku për mbjellje”, tha ai
Kurse profesori i bujqësisë, Imer Rusinovci, thotë se mungesa e mbjelljeve në sasi më të mëdha të grurit, tregon se shteti nuk e sheh grurin se aset strategjik.
“Konsideroj se është një situatë më e mirë se vitin e kaluar. Në përgjithësi vërehet një demotivim dhe dekurajim i fermerëve, p[ër faktin se nuk po ju lëverdisë kultura e grurit si kulturë strategjike, sepse e njëjta nuk po kurorëzohet me efekte të arta financiare”, tha ai.
Në Ministrinë e Bujqësisë tregojnë se vitet e fundit ndryshojnë shifrat e mbjella me kulturë gruri. Në vitin sipërfaqet e mbjella me grurë ishin: 2015 - 84 mijë hektarë, 2016 - 71 mijë hektarë, 2017 - 74 mijë hektarë, 2018 - 50 mijë hektarë dhe 2019 - 70 - 75 mijë hektarë
Drejtori i departamentit të bujqësisë, Isuf Cikaqi, thotë se sivjet janë mbjellë rreth 75 mijë hektarë me grurë.
Gruri është kulturë njëvjeçare dhe për këtë arsye edhe sipërfaqet e mbjella ndryshojnë nga viti në vit.