Koloneli britanik që ishte oficer zbulimi në Shqipëri

Koloneli britanik që ishte oficer zbulimi në Shqipëri

Më 17 nëntor të vitit 1986, vdiq kolonel-lejtnant Neil Loudon Desmond McLean, i njohur si Billy McLean, oficer zbulimi i ushtrisë britanike, i cili udhëhoqi operacionet speciale në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Në fillim të vitit 1943, Londra e caktoi Mcleanin për të udhëhequr një mision në Shqipërinë e pushtuar për të bashkërenduar luftën kundër nazizmit.

Ai u hodh me parashutë në prill të vitit 1943 dhe ra në kontakt me partizanët, duke vendosur gjidhashtu lidhjen e parë me radiotransmetues me shtabin britanik. Ekipi McLean organizoi brigadën e parë partizane, dhe u kujdes për stërvitjen dhe armatimin e saj. Pas evakuimit nga Shqipëria në nëntor 1943, McLean u thirr në Londër.

Megjithatë, tensioni mes partizanëve dhe Legalitetit e Ballit Kombëtar, shkaktuan shqetësime mes britanikëve se lufta po pengohej, dhe Billy McLean u dërgua përsëri në Shqipëri në prill 1944 me një ekip të vogël i përbërë nga David Smiley dhe Julian Amery, me mision për një bashkim forcash mes nacionalistëve dhe partizanëve, por pa sukses. Pas kësaj, strategjia britanike ndryshoi; Mclean u urdhërua nga Londra të braktiste shtabin e Abaz Kupit, dhe përkrahja britanike i kaloi vetëm partizanëve.

 Pas luftës, në fund të viteve 1940, Billy McLean iu bashkua përpjekjeve të agjencive amerikane dhe britanike të zbulimit kundër regjimit komunist në Shqipëri.

Autor: RTKlive