Ceferin: Futbolli shqiptar ka shumë talentë

Ceferin: Futbolli shqiptar ka shumë talentë

Presidenti i UEFA-s Aleksandër Ceferin ndodhet në Tiranë ku është i ftuar për të inauguruar impiantin më të ri në Shqipëri, “Air Albania Stadium”.

Numri një i futbollit evropian ka pasur një agjendë të ngarkuar teksa fillimisht u takua me kryeministrin Edi Rama, vizitoi më pas nga pranë “Shtëpinë e Futbollit”, u dekorua nga presidenti Ilir Meta ndërsa ka mbajtur edhe një konferencë për shtyp.

“Gjithçka fillon nga investimi në infrastrukturë, skuadrat duhet të jenë më të forta. Futbolli shqiptar ka shumë talente, Shqipëria duhet të kalojë më tej. Me kryeministrin Rama do të diskutojmë më tej, sonte jemi të përqendruar diku tjetër”, tha Ceferin. 

“Futbolli është shumë i rëndësishëm, duhet të edukojmë fëmijët lidhur me racizmin. UEFA ka një politikë të tolerancës 0 të racizmit, ne nuk kemi polici. Pa mbështetjen e qeverisë nuk mund të luftojmë idiotët. Kjo nuk është një çështje që ndodh vetëm në Evropën lindore, ndodh kudo, raste të tilla kemi parë dhe me Italinë. E vetmja gjë që mund të bëjmë është të edukojmë shoqërinë dhe kryesisht fëmijët”, shtoi ai.

Ndryshe, sonte Shqipëria përballet me Francën në kuadër të kualifikimeve për evropianin 2020. Kuqezinjtë tashmë nuk kanë gjasa për kualifikim, derisa “Gjelat” kanë siguruar pjesëmarrjen dhe sonte do të luajnë pa presion.