Artistja që përmes stripit po ngre zërin për pabarazinë gjinore

Artistja që përmes stripit po ngre zërin për pabarazinë gjinore

Historia e një superheroine, e cila e lufton në Kosovë pabarazinë gjinore, por që njëherazi reagon edhe kundër pabarazive të tjera, ka nisur të prezantohet së fundmi përmes rrjetit social “Facebook” në formë të stripit.

"Hyjnesha" është një strip feminist në gjuhën shqipe, autore e fabulës dhe e ilustrimeve, të të cilit është Eurisa Rukovci. Eurisa nuk është as shkrimtare e as ilustruese. Ajo është psikologe nga Prishtina që merret me aktivizëm për të drejtat e grave dhe stripi është pasioni i saj, të cilën po e promovon përmes faqes “Stripi feminist ‘Hyjnesha’". Për gazetën “Zëri” Eurisa Rukovci ka treguar se "Hyjnesha" do të botohet me seri vazhdimisht në këtë faqe. Stripi i saj flet për Evën dhe Monën, dy vajza të reja nga Prishtina që secila në mënyrën e vet luftojnë për barazi gjinore. Po ashtu si personazh i rregullt do të jetë edhe “Shpirti i Hyjneshës”, personazhi mbinatyror që i jep kurajë dhe motivim. “Ideja për strupin ‘Hyjnesha’ ka ardhur nga figurina ‘Hyjnesha në fron’ dhe nga vetë gratë e Kosovës, gra të forta që nuk dorëzohen. Në anën tjetër, për shkak se si e re kam qenë e pasionuar pas superheroinave, kam pasur dëshirë që t’i jap jetë edhe një stripi me superhero që është në gjuhën shqipe, ngjarja zhvillohet në Prishtinë dhe ka të bëjë me simbole të Prishtinës dhe të Kosovës”, ka treguar Rukovci.

Stripi që ajo ka nisur ta publikojë ka të bëjë me një vajzë të re Evën, e cila rastësisht e gjen figurinën, e cila humb gjatë transportit dhe nga ajo merr superfuqi. Eva në episodin e parë shihet duke u preokupuar me mënyrën se si gratë ndihen të pafuqishme në rrugë e në shtëpi dhe kjo gjë e mundon atë. Pas kontaktit të parë me figurinën, asaj i ngjitet një maskë në fytyrë dhe i shfaqet “Shpirti i Hyjneshës”, i cili i tregon se tani ka përgjegjësi të mëdha.  “Kjo temë meç është dukur e përshtatshme, për shkak se ngërthen në vete çdo gjë që më preokupon edhe mua si një grua e re në Kosovë”, thekson Eurisa.

Personazhet e saj kanë karakteristika të ndryshme individuale. Eva është një vajzë e re rebele, e vendosur dhe e gatshme për të marrë përgjegjësi. Mona, shoqja e saj e ngushtë, është racionale, teorike, e përpiktë dhe shumë e dijshme dhe në fund është “Shpirti i Hyjneshës”, e cila do të shfaqet si “Zëri i ndërgjegjes” gjatë stripit.