Ruiz ndal bisedimet për rinovimin

Ruiz ndal bisedimet për rinovimin

Mesfushori spanjoll Fabian Ruiz erdhi te Napoli verën e kaluar, por për të dytin sezon me radhë, po tregon një nivel mjaft të lartë, duke tërhequr vëmendjen e klubeve të mëdha të vendit të tij Barcelona e Real Madrid.

Napoli po përpiqet të përfitojë sa më shumë nga shitja e tij dhe në javët e fundit De Laurentiis e menaxherët e mesfushorit, po negocionin rinovimin e kontratës që skadon më 2023-shin, ku do përfshihej edhe një klauzolë prej 120 milionë eurosh.

Megjithatë pak ditë më parë menaxherët janë tërhequr nga negociatat për rinovim, ndërsa sipas mediave në Itali, duket se pas këtij vendimi qëndron klubi i Barcelonës, që kërkon të marrë Ruiz për 50-60 milionë euro në verë dhe jo të paguajë një klauzolë të lartë.

Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që vetë Fabian Ruiz të jetë zhgënjyer me situatën e krijuar në kampin napolitan në javët e fundit dhe të ketë vendosur veton kundër rinovimit me skuadrën e De Laurentiis.