Osmani: Qeveria e re do të investojë në kapitalin dhe potencial njerëzor

Osmani: Qeveria e re do të investojë në kapitalin dhe potencial njerëzor

Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani, deklaroi sot se Qeveria e ardhshme e Kosovës do të investojë në kapitalin dhe potencial njerëzor të vendit tonë, duke u përqendruar më shumë te rritja e punësimit të të rinjve dhe grave.

Ajo këto komente i bëri gjatë takimit me Tao Zhang, zëvendësdrejtor menaxhues i Fondit Ndërkombëtar Monetar, shoqëruar nga Stephanie Eble, përfaqësuese e lartë rezidente, Gabriel Di Bella, shef i Misionit në Kosovë, Mentor Mehmedi, këshilltar i drejtorit Ekzekutiv dhe Selim Thaçi, ekonomist.

Osmani tha se sektori privat është motori kryesor i zhvillimit ekonomik përderisa Qeveria e re do të përqendrohet tek investimet në kapitalin dhe potencialin njerëzor të qytetarëve të Kosovës.

“Është objektiv yni, në kuadër të programit të Qeverisë së re, e cila do të formohet shumë shpejt falë bashkëpunimit në mes të LDK-së dhe LVV-së, që të përqendrohemi te rritja e punësimit ndër të rinjtë dhe gratë,” u shpreh Osmani,d duke shtuar se LDK do të sigurohet që shpenzimet buxhetore të institucioneve kosovare gjithnjë do të jenë brenda kornizës së makro-stabilitetit ekonomik në Kosovë, përgjegjësisë fiskale dhe maturisë buxhetore.

Ndërsa, zëvendësdrejtori menaxhues i FMN-së Tao Zhang falënderoi nënkryetaren Osmani për zotimin për planifikim buxhetor të mirëfilltë, ndërsa shpalosi edhe interesimin e FMN-së drejt politikave dhe programeve që avancojnë mbrojtjen e ambientit në Kosovë dhe botë.


MË SHUME NGA Aktuale