Përshpejtimi i jetës dhe teknologjia

Përshpejtimi i jetës dhe teknologjia

Ballsor Hoxha

Të gjitha protestat dhe revolucionet, prej Pranverës Arabe e deri tek protestat në Kili e Hong Kong, që po ndodhin në botë kanë filluar që të brengosin njerëzimin. Njeriu ka nevojë sot të jetë i barabartë. Të shoh një siguri dhe një qëndrueshmëri të vetes së tij. Të mos gjej përfundimin e jetës së tij në një rutinë pabarazie e cila i shkakton atij ankth të ekzistenciales.

Ka disa dekada që jeta është përshpejtuar aq shumë sa që njerëzit ndjehen të humbur. Njerëzit kanë fillur të ndjehen të lodhur dhe të mbetur jashtë lojës së teknologjisë. Të gjitha aplikacioneve, rrjeteve, përdorimeve dhe të “botërave” të sofistikuara.

Informacioni rrjedh dhe buron nga çdo njeri dhe nga çdo skutë. Jeta është përshpejtuar aq shumë sa që je në ankth konstant që të gjesh një fije të lidhjes së informacionit. Ajo që ka ndodhur është se njeriu ka mbetur ne pragun e një kalimi gjigant të njerëzimit nga një botë në një botë tjetër. Është hapur porta e kalkulimeve të pafundme të çdo gjëje, prej grimasave të fytyrës përmes aplikacioneve, qarkullimit të gjakut dhe të ardhmërisë.

Njeriu është pre e dëshirës së tij për të kapur jetën në të gjitha fushat dhe në këtë kalim të mileniumeve. Ai ka mbetur peng i forcës së njërëzimit e cila po kërkon të shpjegoj secilën të metë të tij. Dhe aq më shumë që po kërkon që të të gjej rrugëdalje nga kriza e ankthshme e tij për të qenë i barabartë dhe i afërt me njëri tjetrin.

Ajo që po e shtyen njeriun në ankth është pamundësia për të qenë në rrjedha me njëri tjetrin. Gjë që ka shkaktuar shkallë më të lartën ndonjëherë të tëhuajshimit dhe të vetmisë së njeriut.

Jo pa qëllim në punimin e këtij autori për këngën “Fustani” trajtohet marrëdhënia e interpretueses dhe fustanit si marrëdhënie e stërkequr dhe e devijuar. Jo më si banalizim por edhe si vetmi e skajshme e cila nuk arrin të përmbushet nga jeta e vërtetë.

Nga këtu është e pohueshme se marrëdhënia e njeriut me jetën e tij dhe me njëri tjetrin ka eskaluar në distancim të njërit me tjetrin dhe me shfuqizim të të prekshmes ndaj të konsumuarës.

Sigurisht, e tërë teknolojia sot jepet si konsum. Konsum i cili as nuk mundëson kalimin e ankthit dhe as gjetjen e një zgjidhjeje të pragut të hapur të mileniumit të ri. Konsumi është edhe kanalizimi i të njëjtës e cila konsumohet nga masat e gjera. Teknologjia edhepse e merituar në shumë sfera të jetës, si informacion, mjekësi e shëndet, në të vërtetë e plasuar si konsum më shumë po e shtyen njeriun drejt ankthit.

Teknologjia informative e cila nuk arrin të shqitet nga konsumi dhe mbetet pre e dëshirave të njeriut, krijon ankth të nevojës për të përjetuar, kështu njeriu duke mbetur i paarrirë.

E filluam me protestat globale, gjë që tregon për një masë pakënaqësie në të njëjtën kohë të zhvillemeve teknologjike. Kjo është momenti kur njerëzimi ka filluar të kap dallimin e krijuar nga zhvillimet dhe inovacionet e teknologjisë informative. Ky është momenti kur njerëzimi po vetëdijësohet për një jetë më dinjitoze. Për një jetë më të kapshme dhe më të qartë të veprimit të tij në raport me zhvillimet e teknologjisë, që në fund të fundit vazdhimisht krijojnë nevojë për siguri më të lartë dhe për sakrifikim të lirisë së njeriut.