Maqedoni, vetting në gjyqësor për forcimin e shtetit ligjor

Maqedoni, vetting në gjyqësor për forcimin e shtetit ligjor

Kritikat e bashkësisë ndërkombëtare për ngecje të reformave në gjyqësor, vonesat në gjykimin e lëndëve të Prokurorisë Speciale, politizimi i gjykatave, rastet korruptive në mesin e gjyqtarëve e prokurorëve, kanë bërë që edhe Qeveria e Maqedonisë së Veriut të iniciojë nevojën e procesit të verifikimit, i njohur ndryshe edhe si “vetting”.

Nga Ministria e Drejtësisë, thonë se për këtë çështje do të diskutojnë edhe me përfaqësues ndërkombëtarë për të shqyrtuar modalitetet e nisjes së procesit ndërkohë që nga Komisioni Anti-korrupsion kanë kërkuar që të verifikojë listat anketuese të të gjithë punonjësve në gjyqësor.

“Presim që Komisioni shtetëror për parandalimin e korrupsionit të nisë një procedurë serioze për kontrollin e listave anketuese të gjyqtarëve dhe në këtë mënyrë të shfrytëzohen të gjitha mundësitë ligjore për procesin e vetting-ut të gjyqtarëve, pra verifikimin e pasurisë së tyre. Gjithashtu do të bisedojmë me partnerët tanë evropianë për një vetting gjithëpërfshirës në gjyqësi dhe Prokurorinë publike”, ka deklaruar ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska.

Reagimi i Ministrisë së Drejtësisë vjen në veçanti pasi ish kryeministri Nikolla Gruevski, u lirua nga ndjekja për një vepër penale për shkak të vjetërsimit të lëndës, apo zvarritjes së procesit gjyqësor.

Gjykatësit thonë se nuk janë kundër procesit të verifikimit të tyre, pasi siç thonë, me këtë do të eliminohen të gjithë dyshimet mbi punën e tyre.

“Ne nuk kemi asnjë problem me vettingun, madje vlerësoj se kjo duhet të ndodhë edhe në gjyqësi që të largohen të gjitha dyshimet e mundshme lidhur me punën dhe ndershmërinë e punonjësve të sistemit të drejtësisë, para se gjithash të gjyqtarëve dhe prokurorëve”, thotë Ivan Xholev, kryetar i Gjykatës Penale të Shkupit.

Opozita thotë se vetting-u duhet të përfshijë jo vetëm gjyqtarët, por edhe politikanët, por nga OBRM-PDUKM-ja nuk besojnë se suksesin e verifikimit meqë siç thonë do të udhëhiqen nga qeveria që është e përfshirë në krime të ndryshme.

“Ne jemi për vetting, por ky proces duhet të përfshijë edhe politikanët dhe jo vetëm një kategori të njerëzve të angazhuar në institucione. Por, gjithashtu vlerësojmë se vettingun duhet ta bëjnë njerëz që nuk kanë të kaluar të dyshimtë apo që nuk janë të përfshirë në veprime inkriminuese. Në rastin konkret, vetting propozon qeveria e cila deri në fyt është e zhytur në veprime të ndryshme kriminale”, thotë Petar Arsovski, zëdhënës i OBRM-PDUKM-së.

Vetting-u fillimisht është kërkuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim, parti kjo që është pjesë e qeverisë, por kërkesa e saj nuk ishte përfillë nga partitë tjera, të cilat tani kanë nisur të jenë të zëshme për nisjen e këtij procesi.

“Do të jetë një proces i kontrollit të figurave të propozuara për funksionarë, qofshin ata ministra apo deputetë, kryetarë komunash, drejtorë, sekretarë shtetëror, këshilltarë, pra çdo funksion publik përfshirë gjykatës, prokuror që pretendon t’ju shërbejë qytetarëve duhet të kalojë procesin e vetting-ut, i cili do të konfirmojë pastërtinë e secilit prej figurave të cilat do të zgjidhen”, pati deklaruar deputeti i BDI-së, Artan Grubi.

Partitë politike ndërkohë ende nuk kanë arritur të miratojnë Ligjin e Prokurorisë Publike, ndërkohë që Prokuroria Speciale është shuar kurse prokurorët e saj kanë kaluar në organin e rregullt të akuzës.

Ish kryeprokurorja Speciale, Katica Janeva, ndodhet në paraburgim, si e dyshuar për rastin “Reketi”, të zhvatjes së 1.5 milion eurove nga një biznesmen maqedonas, rast ky që ka përkeqësuar edhe më shumë gjendjen në gjyqësor./REL/