Shënohen tri raste të murtajës në Kinë

Shënohen tri raste të murtajës në Kinë

Një burrë 55 vjeç është diagnostikuar me murtajë pasi e kishte mbytur dhe e kishte ngrënë një lepur të egër në pjesën veriore të Kinës. Autoritetet shëndetësore kineze i kanë futur në karantinë 28 persona.

Ky është rasti i tretë i murtajës që u raportua në shtetin e madh aziatik gjatë javës së kaluar, bashkë me dy raste të tjera që u shënuan në kryeqytetin Pekin.

Në deklaratën e autoriteteve shëndetësore në rajonin autonom të Mongolisë së Brendshme thuhet se personi i diagnostikuar me murtajë është duke u trajtuar në një spital në qytetin Huade.

Njëzet e tetë persona që kanë pasur kontakte të ngushta me këtë person janë duke u mbajtur nën vëzhgim, por organet e shëndetësisë thanë se asnjëri prej tyre ende nuk ka shfaqur simptoma të murtajës.

Murtaja pneumotike, e cila është lloji më i rëndë i murtajës, besohet se ishte shkaktare për pandeminë e ashtuquajtur “Vdekja e Zezë”, e cila gjatë shekullit të katërmbëdhjetë ua kishte marrë jetën së paku 75 milionë njerëzve, shkruan “Independent”


MË SHUME NGA Shëndetësi