Militantët vrasin 24 ushtarë të Malit në kufi me Nigerin

Militantët vrasin 24 ushtarë të Malit në kufi me Nigerin

Njëzet e katër ushtarë janë vrarë gjatë një sulmi të militantëve në pjesën lindore të Malit, pranë kufirit me Nigerin. Lajmin për këtë sulm të përgjakshëm e dha ushtria e këtij vendi afrikan.

Në këtë sulm gjithashtu u plagosën 29 ushtarë të tjerë. Sulmi ndodhi në kohën kur ushtria e Malit dhe ushtria e Nigerit po e realizonin një operacion të përbashkët përgjatë kufirit në rajonin Gao.

Ushtria e Malit tha se 17 militantë janë vrarë dhe 100 të tjerë janë arrestuar si të dyshuar në Tiloa të Nigerit.

Ky sulm ndodhi disa javë pas vrasjes së 54 ushtarëve në një sulm tjetër, i cili ishte njëri ndër më vdekjeprurësit në dekadën që po e lëmë pas.

Hollësitë e sulmit të së hënës mbesin të paqarta, sepse autoritetet nuk e kanë identifikuar grupin që qëndron prapa vrasjeve të ushtarëve.

Mali po përballet me dhunë që nga viti 2012, kur militantët islamikë e nisën një kryengritje separatist, duke i marrë nën kontroll disa qytete të rëndësishme.

Me ndihmën e Francës, ish-pushtueses së vet, Mali arriti ta rimarrë kontrollin e territoreve të humbura. Megjithatë, forcat e sigurisë nuk kanë arritur ende ta eliminojnë rrezikun që vjen nga grupet e ndryshme të armatosura.

Sipas Kombeve të Bashkuara, më shumë se 1500 civilë janë vrarë në Mali dhe Burkina Faso nga janari i këtij viti, ndërsa milionë njerëz në këto vende kanë nevojë për ndihmë humanitare, shkruan “BBC”