ISIS po ringrihet, inteligjenca irakiane: Arratisje masive nga burgjet

ISIS po ringrihet, inteligjenca irakiane: Arratisje masive nga burgjet

Të fshehur mes atyre që i largohen luftës, liderët e të ashtuquajturit Shteti Islamik, janë strehuar në Turqi. Të pajisur me miliona dollarë e të udhëhequr nga ndjenja e hakmarrjes, ata po planifikojnë arratisje masive nga burgu për të ringritur rrjetin e terrorit. Paralajmërimet e forta vijnë nga kreu i inteligjencës ushtarake në Irak, në një intervistë ekskluzive për CNN..

“Këta element, të cilët gjenden aktualisht në Turqi, po luajnë një rol kyç në përpjekjet për rekrutimin e luftëtarëve apo terroristëve.  Udhëheqës të nivelit të lartë kanë shkuar në Gaziantep të Turqisë. Ata janë figura kyçe të grupit të cilët kanë në duar shumë para, e madje edhe investime në Turqi” deklaroi gjenerali Saad Al Allaq.

Gjenerali thotë se u kishte dorëzuar autoriteteve ushtarake turke një dosje të 9 liderëve të ISIS. CNN e pa dosjen, por nuk u lejua ta filmojë atë. Pamë urdhër arrestet irakiane për dy persona të konsideruar si ekspertë bombash, e të kërkuar për terrorizëm dhe vrasje në masë. Të dy ata janë arratisur drejt Turqisë dhe përbëjnë një rrezik të madh në Lindjen e Mesme dhe për perëndimin.

Iraku gjurmoi dhe sulmoi ish udhëheqësin e ISIS, Abu Bakr al Baghdadi duke e detyruar atë të zhvendosej nga Iraku drejt Sirisë, ku edhe u vra në muajin tetor. Por gjenerali paralajmëroi se kërcënimi i Shtetit Islamik mbetej i lartë. Rreth 10 mijë luftëtarë të pretenduar mbahen në burgjet e mbikëqyrura nga forcat demokratike siriane. Se sa gjatë do të mund të mbahen nën kontroll është e paqartë, pasi ofensiva e fundit e Turqisë në zonë, i dobësoi pozitat e kurdëve./A2news