Vakuumi dyjavor i negociatave LVV - LDK

Vakuumi dyjavor i negociatave LVV - LDK

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ndonëse po synojnë të arrijnë një koalicion për formimin e qeverisë së re, takimin e fundit në lidhje me këtë çështje e kanë pasur dy javë më parë.

Që nga 7 nëntori LVV-ja e LDK-ja përveçqë nuk janë takuar, nuk kanë caktuar as ndonjë datë se kur mund të jetë takimi i ardhshëm mes tyre edhe pse shprehen optimistë se negociatat mund të nisin gjatë javës së ardhshme, shkruan sot Gazeta "Zëri". 

Nesër bëhen dy javë prejse grupet punuese, ai i Lëvizjes Vetëvendosje dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, i kanë përmbyllur takimet për harmonizimin e planprogramit qeverisës.

Që prej atëherë këto dy parti, të cilat po shihen si partnerë potencialë për krijimin e qeverisë së ardhshme, nuk kanë zhvilluar asnjë takim mes vete.

LEXO EDHE: Mbi një mijë punëtorë protestojnë, kërkohet rritja e pagës minimale në 350 euro

Madje ato nuk kanë caktuar as ndonjë datë se kur mund të ketë një takim të tillë, ndonëse po shprehen se kjo mund të ndodhë javën e ardhshme, shkruan më tutje Gazeta "Zëri".

Meqë procesi zgjedhor po vazhdon të jetë në rinumërim, nga LDK-ja tashmë është bërë e ditur se pa përfunduar procesi i tërësishëm zgjedhor dhe pa u certifikuar rezultatet nuk do të ketë takim të nivelit të lartë me Vetëvendosjen.

Në takimin e ardhshëm, i cili mund të zhvillohet mes kreut të Vetëvendosjes Albin Kurtit dhe atij të LDK-së Isa Mustafës, temë bisedimi pritet të jetë dialogu dhe roli i presidentit aktual Hashim Thaçit në këtë proces.

Për rinisjen e negociatave mes këtyre dy liderëve dhe për formimin sa më të shpejtë të Qeverisë nuk po mungon as presioni nga faktori ndërkombëtar.

Diplomatët e huaj në vend theksojnë se Kosova nuk e ka luksin ta vonojë këtë proces dhe të humbë kohë pa nevojë.