Për 40 vjet regjistroi 70 mijë orë lajme në kaseta VHS

Për 40 vjet regjistroi 70 mijë orë lajme në kaseta VHS

Feministja dhe aktivistja për të drejtat qytetare, Marion Stokes, për 40 vjet kishte incizuar plot 70 mijë orë lajme televizive përgjatë afër katër dekadave.

Ajo lëshonte VCR-në  (Incizuesin e Videokasetave) dhe në kasetat VHS kishte regjistruar lajmet ditore nga kanale të ndryshme televizive në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Stokes përshkruhet si aktiviste radikale komuniste e cila qe shndërruar në arkiviste të pasur dhe të mbyllur. Gjendja e mirë financiare ia kishte mundësuar asaj nisjen e këtij projekti dhe më 1979, gjatë Krizës Iraniane me Pengje ajo kishte filluar t’i regjistrojë lajmet në kaseta. Këtë projekt e kishte vazhduar deri në vitin 2012, pra deri në vitin kur kishte vdekur ku regjistrimet e fundit kishin të bënin me sulmin makabër në shkollën Sandy Hook.

Incizimet e saj kanë shërbyer si temë e regjisorit Matt Wolf në dokumentarin e tij të ri “Regjistruesi: Projekti i Marion Stokes”.

Wolf njihet për filmat e tij që për tematikë kanë pamjet dhe regjistrimet nga arkivat, mirëpo kur kishte dëgjuar për Stokes e kishte kuptuar se bëhej fjalë për diçka të padëgjuar më parë.

Kasetat e Stokes i kishin mbetur trashëgimi djalit të saj i cili ia ka dhuruar Arkivës së Internetit,  një organizateje jofitimprurëse e cila i digjitalizon materialet fizike të mediave. Këto kaseta do të jenë në faqen kësaj organizate nga ku mund të kenë qasje të gjithë. Andaj, ka të tillë që aktin e saj e kanë cilësuar si aktivizëm socialist marrë parasysh qasshmërinë e lirë për të gjithë në arkivat e siguruara nga ajo.

Madje, nga aktivizmi i saj do të përfitojnë edhe vetë televizionet që nuk e kanë në dispozicion materalin që ato vetë e kanë prodhuar ndër vite por që është regjistruar nga tashmë e ndjera, Stokes.


MË SHUME NGA Kuriozitete