Projekti venecian kundër përmbytjeve

Projekti venecian kundër përmbytjeve

Ujërat që vërshuan Venecien më 12 nëntor ende nuk janë tërhequr plotësisht. Autoritetet po punojnë të shmangin përsëritjen e fenomenit stinor me anë të sistemit kundër përmbytjeve. Dëmet në ekonomi dhe kulturën historike janë të konsiderueshme.

Italia do të rifillojë projektin për mbrojtjen e Venecies nga përmbytjet, si ajo e 12 nëntorit.

Sistemi elektromekanik i njohur shkurtimisht si "Moze" parashikon ndërtimin e portave nënujore që çohen në tri pika kritike të lagunës veneciane, transmeton oranews.

Projekti mund të mbrojë qytetin nga vërshimet e ujërave në një lartësi 300 centimetra, por ka mbetur pa u realizuar prej projektimit në vitin 1989.

Ambientalistët e kundërshtojnë projektin, pasi ngritja e portave kundër përmbytjeve rrezikon oksigjenimin e lagunës dhe speciet ujore të zonës.

Qeveria italiane është zotuar ta përfundojë ndërtimin e tyre në dy vitet e ardhshme.

"Meqë e kemi nisur si projekt, tani duhet ta mbarojmë dhe të shohim a funksionon apo nëse ka ndonjë problem," thotë një banor i qytetit.

Erërat e forta një javë më parë bënë që ujërat e Adriatikut të vërshonin në mbi 80 për qind të qytetit në një lartësi gati 1,9 metra.

Kripa e detit raportohet se ka gërryer disa nga pasuritë kulturore dhe historike të qytetit, dhe ka dëmtuar materialisht biznese dhe banesa të tëra.

Pasojave nuk i janë shmangur as prodhuesit e gondolave, të varkave karakteristike të vendit.

"Punishtet artizanale ndodhen në katet e para dhe përmbytjet janë gjëja më e vështirë për ne. Shpresoj që të na ndihmojnë sepse artizanati është një pjesë e rëndësishme e traditës veneciane," tregon pronarja e një ndërmjarrjeje të vogël.