Arsyet kur kolla përkeqësohet gjatë natës, mënyrat për qetësimin e saj

Arsyet kur kolla përkeqësohet gjatë natës, mënyrat për qetësimin e saj

Kolla është një nga simptomat mbizotëruese të gripit dhe të ftohurës.

Shërimi i këtyre dy problemeve shëndetësore kërkon një regjim të shëndetshëm me lëngje dhe ushqime të pasura me vitamina, medikamente të caktuara dhe shumë pushim.

Në fakt, gjumi dhe pushimi i japin trupit kohën që i nevojitet për të luftuar infeksionet.

Por, nëse kolla vazhdon ditë e natë, pushimi dhe gjumi duket i pamundur.

Gjatë natës, kolla ka tendencën të përkeqësohet dhe e bën të pamundur fjetjen dhe rikuperimin e energjive.

Përse Kolla Përkeqësohet Gjatë Natës?

Arsyet përse kollitja bëhet më e ashpër gjatë natës janë të shumëta por lehtësisht të shpjegueshme.

Një prej tyre është qëndrimi që ndikon në akumulimin dhe rrugëtimin drejt fytit të sekrecioneve të trasha.

Për këtë arsye, ekspertët sugjerojnë fjetjen me kokën ngritur, mundësisht me dy jastekë, kur jeni me kollë.

Ky pozicion do të pengojë mbledhjen e sekrecioneve në fyt.

Sipas të dhënave një arsye tjetër është ambienti i brendshëm tepër i thatë.

Ajri i thatë mund të përkeqësojë situatën me fytin dhe hundën.

Ajri duhet të jetë i lagësht që të merrni frymë lirisht.

Bëni një avull me ujë të ngrohtë përpara gjumit.

Mbushni një enë me ujë të nxehtë dhe hidhni gjethe menteje ose nenexhiku ose pika vaji esencial nëse keni.

Me një peshqir mbi kokë nuhasni avullin që del prej enës.

Ose mbani në dhomë një enë me ujë të nxehtë dhe gjethe ekualipti ose me disa pika vaj esencial.

Vajin esencial e gjeni në farmaci.

Sidoqoftë, kolla është e rëndësishme për shërimin.

Nëpërmjet saj, trupi arrin të nxjerrë toksinat dhe të pastrojë rrugët e frymëmarrjes.

Si Të Mbani Nën Kontroll Kollën E Thatë Gjatë Natës

Në rastet kur kollitja nuk ju lë të merrni frymë, ju duhet të siguroheni që të merrni disa masa për të mundësuar pushimin e dëshiruar.

Pini sa më shumë lëngje përgjatë mbrëmjes dhe përpara se të shtriheni për të fjetur.

Lëngjet e ngrohta zbusin dhe hollojnë sekrecionet dhe lehtësojnë kollitjen.

Nëse kolla juaj zgjat më shumë se 7 ditë, atëherë shkoni tek mjeku dhe bëni një kontroll.

Nëse kolla zgjat mbi dy javë, atëherë ju mund të jeni prekur nga bronshiti, azma ose pneumonia.

Shurupi i Mjaltit me Vaj Ulliri dhe Limon

Për përgatitjen e shurupit, nxehni për 2-3 minuta në një enë metalike lëngun e shtrydhur të një limoni mesatar.

Hiqeni nga zjarri dhe kalojeni lëngun në një tas, duke shtuar një lugë gjelle vaj ulliri ekstra të virgjër dhe një gjysmë gote çaji me mjaltë, pra rreth 100 ml.

Përzijini mirë të gjithë përbërësit së bashku. Më pas kalojeni masën e përftuar në kavanoz qelqi të sterilizuar dhe ruajeni në frigorifer.

Merrni një ose dy lugë çaji për të kuruar kollën sa herë që ju bezdis dhe një tjetër lugë para gjumit./agroweb