4 fëmijë vdiqën gjatë këtij viti në Kosovë si pasojë e sëmundjeve të rënda

4 fëmijë vdiqën gjatë këtij viti në Kosovë si pasojë e sëmundjeve të rënda

Numri i rasteve me sëmundje të rënda çdo ditë e më shumë po shtohet në vendin tonë.

Mbi një mijë raste me kancer trajtohen vetëm gjatë një viti në Kosovë. E në mesin e tyre edhe fëmijë.

Vetëm gjatë këtij viti deri më tani janë lajmëruar 38 raste të fëmijëve të prekur nga kjo sëmundje.

Diagnostikimi i këtyre rasteve bëhet shumë shpejt me ekzaminimin fizikal, analiza laboratorike, imazherike, biopsive dhe punksionit të palcës kockore.

Shumë prej këtyre rasteve udhëzohen për tu trajtuar jashtë vendit në mungesë të mjeteve adekuate në Kosovë.

“Gjate këtij viti ne Repartin e Hemato-Onkologjise janë lajmëruar 38 raste te reja me sëmundje malinje. Shumica e rasteve janë trajtuar ne repartin tone por ka edhe raste qe janë udhëzuar për trajtim jashtë vendit”, ka thënë zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu për Indeksonline.

Ndërsa fatkeqësisht, ka raste të cilat edhe nuk mund t’i mbijetojnë sëmundjes, ku vetëm gjatë këtij viti 4 fëmijë kanë vdekur nga sëmundja e kancerit, shkruan Indeksonline.

“Sa i përket rasteve qe nuk kane mbijetuar janë 4 raste”, ka thënë Fazliu.

Ndërkaq, sa i përket vitit të kaluar kanë qenë gjithsej 51 raste me sëmundje malinje.

“Në këtë Klinikë trajtohen shumica e fëmijëve me kancer, përveç rasteve që janë për transplant të palcës kockore”.

Nga 50 deri në 55 raste që lajmërohen në këtë klinikë, rreth 25 prej tyre janë me leukemi.

Ndryshe, Mbi 4 mijë persona që nga viti 2017 e deri më tani vlerësohet se janë prekur me kancer në Kosovë. Shkaktarët e kësaj sëmundjeje thuhet se janë të ndryshëm, derisa kërkohet që qytetarët të ushqehen shëndetshëm e të bëjnë aktivitete fizike.

Nga hulumtimet që janë bërë deri tani thuhet se në botë janë 14 milionë raste të reja në vit me kancer, derisa parashihet që deri në vitin 2030 numri i rasteve me kancer të arrijë shifrën prej 21.7 milionëve.


MË SHUME NGA Shëndetësi