Pistoletë në brez dhe kallashnikov në shtëpi, pranga 41-vjeçarit në Kamëz

Pistoletë në brez dhe kallashnikov në shtëpi, pranga 41-vjeçarit në Kamëz

Një 41-vjeçar, i dënuar më parë, ka rënë në prangat e policisë së Kamzës për armëmbajtje pa leje.

I arrestuari është  shtetasi A. K., lindur Mat dhe banues në zonën e quajtur “Frutikulturë”.

Gjatë operacionit, 41-vjeçarit iu sekuestruan një armë zjarri pistoletë me një krehër me fishekë si dhe një armë zjarri kallashnikov, me një krehër me 30 fishekë luftarakë.

"Falë informacioneve të marra se në qytetin e Kamzës po lëvizte me armë zjarri pistoletë një shtetas, kanë organizuar punën për identifikimin, lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar. Si rezultat i reagimit të shpejtë, në vendin e quajtur “Frutikulturë”, në rrugën “Pandeli Sotiri”, Policia identifikoi dhe lokalizoi personin e dyshuar, të cilit gjatë kontrollit fizik, Policia i gjeti me vete një armë zjarri pistoletë, me një krehër me fishekë. Më pas, operacioni ka vijuar në banesën e tij, ku gjatë kontrollit Policia gjeti edhe një tjetër armë zjarri kallashnikov, me një krehër me 30 fishekë luftarakë", njofton policia.

Armët dhe municionet e sipërpërmendura u sekuestruan në cilësinë e provës materiale dhe u dërguan në laboratorin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”./oranews/