Kthimi i më shumë se 100 shtetasve të Kosovës nga Siria nuk paraqet rrezik

Kthimi i më shumë se 100 shtetasve të Kosovës nga Siria nuk paraqet rrezik

Kthimi i më shumë se 100 shtetasve të Kosovës nga zonat e konfliktit në Siri, sipas zyrtarëve të shtetit, nuk duhet t’i shqetësojë qytetarët e Kosovës, pasi personat e kthyer nuk paraqesin rrezik për sigurinë në vend. Kështu thotë Ganimete Gërbovci, shefe e Divizionit për Siguri, Parandalim dhe Riintegrim në Ministrinë e Punëve të Brendshme. Në një intervistë për Radio Kosovën ajo tha se tash po punohet në riintegrimin e tyre të plotë në të gjitha fushat e jetës.

Hollësi të tjera për punën dhe sfidat e këtij divizioni do të mund të mësoni në intervistën me Ganimete Gërbovcin, shefe e Divizionit për Siguri, Parandalim dhe Riintegrim në Ministrinë e Punëve të Brendshme, të cilën e zhvilloi  gazetarja jonë Mejreme Tahirukaj.

Radio Kosova: Zonja Gërbovci, cfarë mund të na thoni rreth riintegrimit të grave të kthyera nga Siria?

Ganimete Gerbovci: Kosovarët kanë filluar të kthehen më herët në mënyra vetanake. Qeveria e vendit ka bërë një plan operativ në vitin 2019, ku është realizuar kthimi i 110 qytetarëve tanë nga zonat e konfliktit. Prej atij moment Divizioni për Siguri, Parandalim dhe Riintegrim të personave të radikalizuar merret me riintegrimin e këtyre personave. Janë marrë disa masa dhe aktivitete që kanë qenë pjesë e planit të punës prej momentit që kthehet dhe menaxhimi i situatës. Këta persona që janë kthyer nuk kanë pasur dokumente personale , ka qenë pajisja me dokumente të nënave dhe fëmijëve të cilët kanë lindur këtu. Aktivitet tjetër ka qenë kyçja në sistemin arsimor të fëmijëve që kanë mbërri moshën për të vijuar mësimin. Aktivitete të tjera kemi pasur edhe në kyçjen e tyre në skemat sociale. Në bashkëpunim me MPMS tani prej dhjetorit ata do të mundë të marrin edhe ndihma sociale.

RADIO KOSOVA: A është e vështirë qasja ndaj këtyre grave. A keni pasur ndonjë trajnim të veçantë?

GANIMETE GËRBOVCI: Po, nga vitit 2016 unë si zyrtare kam filluar të ndjek trajnime dhe të përgatitem për kthimin dhe qasjen ndaj këtyre personave. Nuk është punë e lehtë, është goxha e vështirë, por do t’ia dalim.

RADIO KOSOVA: Këto zonja që janë kthyer edhe me fëmijë nga Siria ku janë strehuar, te familjet e tyre apo në ndonjë strehimore ? A kanë ndonjë profesion?

GANIMETE GERBOVCI: Sa i përket shkollimit të tyre ka nivele  të ndryshme. Nga zero deri në fakultet të gjitha nivelet janë të përfshira  në këtë grup. Nuk kanë ndonjë zanat apo diçka të tillë. Strehimi është kryesisht nëpër familje por ka edhe prej atyre të cilët përmes departamentit për persona të riatdhesuar u takon strehim i përkohshëm. I kemi tetë raste që u kemi ofruar akomodim dhe strehim të përkohshëm.

RADIO KOSOVA: Shumica e këtyre grave janë kthyer me më shumë se një fëmijë. Ju thatë se keni bërë regjistrimin e tyre në librin civil. Çfarë keni bërë më shumë për këta fëmijë?

GANIMETE GËRBOVCI: Ne monitorojmë si proces por bashkërisht me të gjithë partnerët relevantë të kyçur në këtë proces i ndajmë përgjegjësit. Tani gjatë stinës së dimrit do të bëjmë aktivitete me këta fëmijë për risocializim. Ne jemi monitorues dhe u ofrojmë mundësi dhe asistim.

 

 

 

RADIO KOSOVA: A është e vështirë qasja ndaj këtyre grave?

GANIMETE GERBOVCI: Neve na kanë pranuar shumë mirë, sepse ato janë shumë të lumtura që janë në vendin e vet dhe janë gjallë. Nuk është e lehtë, sepse ka ende me ide me të rezervuara dhe tani është duke u ballafaquar me një ambient tjetër, sepse Kosova ka evoluar. Duhet t’u jepet kohë për riintegrim.

RADIO KOSOVA: Për këto gra duhet edhe ndonjë trajtim nga psikologët, për shkak të kushteve të jetesës atje siç janë kampet. A keni staf të mjaftueshëm që merret më këtë punë?

GANIMETE GERBOVCI: Prej ditës së parë shëndeti mendor janë të kyçur në proces edhe vazhdojnë ti trajtojnë edhe gratë edhe fëmijët. Kemi një koordinatore në zyrën tonë e cila bën planifikime dhe merret me secilin person të kthyer. Me MPMS do të provojmë të zhvillojmë kurse te ndryshme sipas kërkesave që bëjnë nënat.

RADIO KOSOVA: Ne folëm vetëm për integrimin e grave por ka edhe persona të radikalizuar e që duhet të deradikalizohen?

GANIMETE GERBOVCI: Programi i deradikalizimit nuk ka të bëjë me MPB-ë,  sepse ne nuk jemi të thirrur për deradikalizim. Janë disa persona që janë atje janë identifikuar prej Drejtorisë kundër terrorizmit dhe partnereve të sigurisë. Ne jemi të gatshëm t’i pranojmë kurdo kur që  vendos qeveria .

RADIO KOSOVA:  A ka ndonjë të punësuar nga këto gra që janë kthyer?

Ganimete Gerbovci:  Po i kemi disa kërkesa. Jemi duke i shqyrtuar me menaxhmentin tonë. Jemi duke shikuar mundësinë e qasjes dhe angazhimit të tyre. E dimë që me burka puna është pak e vështirë për shoqërinë tonë . Por ne jemi gjithmonë për këshillime për t’u ofruar mundësi për të ardhmen.