Zyra e kryeministrit reagon pas publikimit të shpenzimeve për dreka

Zyra e kryeministrit reagon pas publikimit të shpenzimeve për dreka

Zyra e kryeministrit në largim, Ramush Haradinaj, ka dalë më një sqarim publik pas lajmeve në të cilat pasqyrohen shpenzimi i parasë publike nga zyrtarë shtetërorë për udhëtime jashtë shtetit, dreka e darka.

Në këtë  reagim të zyrës së kryeministrit thuhet se raporti i përgatitur nga Zyra për Buxhet dhe Financa ka në vete të përfshira edhe shpenzimet të cilat janë të garantuara me ligj për stafin. Pra sipas komunikatës së lëshuar për media nga zyra e Haradinajt thuhet se ka pasur përgjithësim të kategorizimeve të shpenzimeve.

Sa i përket shpenzimeve për bileta e udhëtime jashtë shtetit nga zyra e Haradinajt thonë se kompania është ajo që përcakton çmimet, dhe se Autoriteti Qendror i Prokurimit ka bërë përzgjedhjen e operatorit ekonomik.

“Gjithsesi, për ta sqaruar këtë valë të re të shkrimeve, ju informojmë se Kompania për blerjen e avio-biletave është përzgjedhur, sipas procedurave ligjore nga Autoriteti Qendror i Prokurimit. Kësisoj, çmimet e biletave të ofruara nga kjo kompani, për kryeministrin dhe stafin përcjellës në udhëtimet jashtë vendit, janë të përcaktuara nga tregu, respektivisht nga operatori ekonomik, i kontratuar nga AQP dhe Kabineti i Kryeministrit nuk i përcakton çmimet e avio-biletave dhe as nuk e ka përcaktuar operatorin ekonomik për shitjen e këtyre biletave”, thuhet në sqarim

Ndër të tjera siç pretendon zyra e kryeministrit, tek kategoria e shpenzimeve për dreka, gjysma e shumës që është përfshirë nga Zyra për Buxhet dhe Financa janë pjesë e shërbimeve që siguron bufeja.

“Te shpenzimet në kategorinë e “drekave”, rreth gjysma e shumës së cekur në raportin e Zyrës për Buxhet dhe Financa i takon shërbimeve të bufes dhe përzgjedhjen e kompanisë operuese e ka bërë MAP, me procedurat dhe përgjegjësitë e tyre të punës”, thuhet në reagim.

Edhe sa u takon shpenzimeve gjatë qëndrimeve jashtë Kosovës, nga zyra e Haradinajt thonë se hotelet ku kanë qëndruar zyrtarë të kryeministrisë, janë përzgjedhur në konsultim me ambasadat e Kosovës, gjithmonë në kërkim të çmimit më të përshtatshëm.

“Shuma e mëditjeve të listuara në raport dhe të përfolura në mediume, janë kategori e përcaktuar me ligjet e Kosovës dhe i takojnë secilit zyrtar publik përfshirë edhe ata politikë në udhëtimet jashtë vendit. Hotelet ku delegacioni shtetëror ka qëndruar, kryesisht janë propozime të Ambasadave të Kosovës në vendet të cilat kanë ndodhur vizitat dhe është kryesisht përzgjedhje mbi bazën e marrëveshjes së Ambasadave dhe Hoteleve për ofrimin e çmimit më të favorshëm për qëndrim”, thuhet tutje.

Përveç tjerash në këtë reagim zyra e kryeministrit ka vënë në shënjestër mediumin “Koha”, që ka publikuar ndaras të gjitha shpenzimet, duke thënë se apostrofimi i emrave të përveçëm dhe etiketimi si shpërdorues po bëhet me tendencë dhe se nuk ka për qëllim informimin e drejtë.

Kjo pasi që ky medium kishte publikuar një artikull në të cilin thuhej se Haradinaj i vetëm  kishte shpenzuar mbi gjysmë milioni euro vetëm për dreka, ndërkohë bashkë me stafin, anëtarët e kabinetit, zëvendëskryeministrat dhe koordinatorët nacionalë janë shpenzuar 673 mijë e 223 e 14 euro.

Për këtë raportim kishte reaguar edhe dje Haradinaj i cili e kishte quajtur ‘rrenë të kulluar’.

“Është rrenë e kulluar, nuk është ashtu. Shikoni, shteti ka reprezentacion shtetëror, ne presim palë, ne mbajmë pritje shtetërore, ne udhëtojmë jashtë vendit, pra ka reprezentacion shteti, nuk janë dreka e darka të kryeministrit. Ato që i kam pa unë në media është rrenë, pra është dhënë në mënyrë të gabuar informata”, kishte thënë Haradinaj.

 Në fund te reagimit të sotëm  thuhet se fakti që në këto të dhëna janë përfshirë edhe dhënia e faturave, tregon nivelin e lartë të transparencës.


MË SHUME NGA Aktuale