Statistikat që dëshmojnë se e ardhmja e Kosovës është e ndritur

Statistikat që dëshmojnë se e ardhmja e Kosovës është e ndritur

Me 11 pikë në tetë ndeshje, Kombëtarja e Kosovës është renditur në vendin e tretë në grupin A kualifikues për EURO 2020.

Nga protagonistët e sportit në Kosovë, kjo e arritur në ciklin e parë kualifikues mund të cilësohet një sukses i madh.

Kosova në ‘Fadil Vokrri’ ka mposhtur Malin e Zi dhe Çekinë, ndërsa ka barazuar me Bullgarinë 1:1, në një ndeshje të dominuar nga ‘Dardanët’.

Renditja në vendin e tretë dhe statistikat e mira të Kosovës, japin shpresë të madhe se e ardhmja e ‘Dardanëve’ është e ndritur.

‘Transfermarkt’ ka përzgjedhur dhjetë formacionet startuese me moshën më të re në kualifikimet për EURO 2020.

Kombëtarja e Kosovës në këto dhjetë formacione, zë katër pozita, të dytën, të katërtën, gjashtën dhe shtatën.

Formacionin me moshën më të re, Kosova e regjistroi më 10 qershor, kur mposhti Bullgarinë 2:3 në udhëtim, me golat e Milot Rashicës, Vedat Muriqit dhe Elbasan Rashanit.

Formacioni startues i Kosovës në atë ndeshje përbëhej me lojtarët: Muric, Vojvoda, Rrahmani, Aliti, Kololli, Voca, Halimi, Zhegrova, Celina, Rashica dhe Muriqi.

Ky formacion kishte moshën mesatare prej 23.7 vjeteve.

Rekordin për formacionin më të ri në këto kualifikime e mban Kombëtarja e Turqisë, kur në ndeshjen kundër Andorrës startoi me lojtarët që kapnin moshën e përgjithshme të skuadrës startuese 23.6.