Unioni Afrikan kërkon që Britania të tërhiqet nga ishujt Chagos

Unioni Afrikan kërkon që Britania të tërhiqet nga ishujt Chagos

Kreu i Komisioniot të unionit, Musa Faki Muhammed, tha se sot përfundon afati i dhënë Britanisë për tërheqje nga Arikpelagu Chagos, të cilin e mban të pushtuar.

Unioni Afrikan i ka bërë thirrje Britanisë t'i japë fund administrimit kolonial në Arkipelagun Chagos që i përket Mauritiusit dhe të tërhiqet nga rajoni.

Kreu i Komisioniot të unionit, Musa Faki Muhammed, tha në një deklaratë se ndihet i shqetësuar që Britania shkel rezolutën e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe vazhdon administrimin kolonial në arkipelagun që gjendet në Oqeanin Indian.

Ai tha se do ta vazhdojnë mbështetjen për Mauritiusin me qëllim që rajoni të fitojë pavarësinë, duke rikujtuar se afati i dhënë për tërheqjen e Britanisë përfundon më 22 nëntor.

Muhammed i bëri thirrje Britanisë të veprojë në përputhje me vendimet e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ndërsa kërkoi nga komuniteti ndërkombëtar ta mbështesë Mauritiusin.

Çështja e Arkipelagut Chagos

Përmes një rezolute të miratuar në fillim të këtij viti me shumicë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kërkoi nga Britania, e cila mban nën kontroll Arkipelagun Chagos që nga pavarësimi i Mauritiusit më 1968, t'i japë fund "administrimit kolonial" dhe t'ia dorëzojë rajonin Mauritiusit.

Votimi në Asamblenë e Përgjithshme ishte zhvilluar pasi më parë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalosi opinionin se Britania në mënyrë ilegale ka shkëputur Arkipelagun Chagos nga Mauritiusi gjatë procesit të pavarësisë.

Pas këtyre votimeve, parlamenti i Mauritiusit në korrik mori vendim që ishujt të kalojnë nën administrimin e tij.

Ndërkaq, Britania i cilëson ishujt Chagos si "Territor i Britanisë në Oqeanin Indian" dhe pohon se rajoni asnjëherë nuk i ka përkitur Mauritiusit, ndërsa është shprehur se nuk do të respektojë vendimet jodetyruese të OKB-së, duke shfaqur si pretekst edhe rëndësinë strategjike të arkipelagut.

I zbuluar për herë të parë në Mesjetë nga detarët arabë, në Mauritius dhe arkipelagët përreth porti dhe bazat e para u themeluan nga portugezët në shekullin 16. Mauritiusi ishte koloni e holandezëve në shekullin 17, e francezëve në shekullin 18 dhe e Britanisë në shekujt 19 dhe 20, ndërsa pavarësinë e fitoi në vitin 1968. Megjithatë, Britania tri vite para kësaj kishte shkëputur Aerkipelagun Chagos dhe ende vazhdon ta mbajë nën kontrollin e saj.