Rilidhet interneti në Iran

Rilidhet interneti në Iran

Autoritetet iraniane filluan rilidhjen e internetit, pesë ditë pasi sinjali u bllokua për të ndaluar mobilizimin e protestuesve. Garda Revolucionare e Iranit tha se gjendja është qetësuar në mbarë vendin, ndërkohë organizata “Amnesty International” thotë se mbi 100 protestues u vranë nga forcat e sigurisë. Protestat filluan më 15 nëntor për të kundërshtuar rritjen e çmimit të karburantit me të paktën 50%.

Irani filloi të rilidhjen e internetin në kryeqytetin Teheran dhe në disa provinca, njoftuan agjencitë e lajmeve dhe banorë të ndryshëm pas një ndërprerjeje pesëditore mbarëkombëtare. Ndërprerja kishte për qëllim shuarjen e protestave që filluan për të kundërshtuar rritjen e çmimit të karburantit.

Garda Revolucionare e Iranit tha se gjendja është qetësuar në mbarë vendin. Pas pesë ditësh, po fillon të bëhet i ditur edhe bilanci i protestave. Sipas organizatës “Amnesty International” mbi njëqind protestues u vranë nga forcat e sigurisë, një numër që refuzohet nga qeveria se konsiderohet "spekulues."

"Interneti po rilidhet gradualisht në disa pjesë të vendit," tha agjencia gjysmë zyrtare e lajmeve Fars. Bllokada e internetit e bëri të vështirë për protestuesit për t’u mobilizuar si dhe për të postuar video në mediat sociale. Vëzhguesi i bllokimit të internetit NetBlocks tha se rilidhja ka ndodhur vetëm në 10 për qind të Iranit.

Mësohet gjithashtu se shërbimi është funksional vetëm nëpërmjet linjave kabllore dhe jo në pajisjet e lëvizshme. Protestat në Iran filluan më 15 nëntor në disa provinca pasi qeveria lajmëroi rritjen e çmimit të karburantit me të paktën 50%.

Presidenti amerikan Donald Trump kritikoi Iranin për bllokimin e internetit, ndërsa sekretari amerikan i Shtetit Mike Pompeo u bëri thirrje iranianëve që të paraqesin video dhe informacione të tjera që dokumentojnë "dhunën" e qeverisë ndaj protestuesve. Ai premtoi se Uashingtoni do të sanksionojë "abuzimet".