Putin premton përsosjen e një rakete me energji bërthamore

Putin premton përsosjen e një rakete me energji bërthamore

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, premtoi se do të vazhdojë zhvillimin e një rakete me energji bërthamore, që besohet se ka qenë në qendër të një aksidenti vdekjeprurës.

Pesë inxhinierë dhe dy të tjerë kanë vdekur kur motori i një rakete ka shpërthyer gjatë disa provave në Detin e Bardhë, më 8 gusht.

"Ne do ta përsosim këtë armë pavarësisht të gjithave", tha Putin në një takim me familjarët e viktimave.

"Posedimi i teknologjive të tilla unike është një garanci e rëndësishme dhe e besueshme për paqen në planet", shtoi ai.

Shpërthimi i 8 gushtit ndodhi në vendin e testimit të raketave Nyonoksa.

Ai është pasuar me deklarata kontradiktore nga zyrtarë të qeverive lokale dhe federale në Rusi, në lidhje me rrezikun që paraqiste për banorët vendas.

Incidenti ka ndodhur në kohën e tensioneve midis Moskës, Uashingtonit dhe aleatëve amerikanë, për shkak të prishjes së një traktati bërthamor të epokës së Luftës së Ftohtë.

Prishja e Traktatit të Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme ka ngjallur frikën për garë të re në armatim.