Mitsotakis keqardhje për refuzimin e 3000 minorenëve nga BE

Mitsotakis keqardhje për refuzimin e 3000 minorenëve nga BE

Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis shprehu sot keqardhje që Bashkimi Europian nuk iu bashkua kërkesës së Athinës për të pritur rreth 3000 minorenë të pashoqëruar duke akuzuar BE-në se po i braktis për të shmangur vendime politike të vështira.

“Ne jemi përpjekur për të arritur një marrëveshje me të gjitha shtetet anëtare të Bashkimit Europian, duke iu thënë atyre, për hir të Zotit, ne po flasim për rreth 3 000 fëmijë… A nuk mund të ndahen mes 27 vendeve që Europa të japë prova solidariteti?”, theksoi Kyriakos Mitsotakis para Parlamentit.

“Fatkeqësisht, me keqardhje them që përgjigja nuk ka qenë pozitive dhe kjo nuk bën drejtësi për Europën”, theksoi ai duke shtuar se në Greqi janë rreth 4 000 minorenë që jetojnë në kushte të pasigurta.

Kryeministri grek akuzoi këtë javë BE-në se po i trajtonte shtetet anëtare në kufijtë e jashtëm të bllokut europian si vende komode për parkimin e migrantëve.

Bashkimi Evropian ka zhbllokuar miliona euro në ndihmë të Greqisë për të menaxhuar sfidën migratore, por shtetet anëtare nuk pranojnë azilkërkuesit.

“BE-ja fshihet ndonjëherë pas parave për të shmangur marrjen e vendimeve politike të vështira”, akuzoi Mitsotakis. Qeveria konservatore greke njoftoi këtë javë se tre kampe migrantësh më të mbipopulluarit në vend do të mbyllen në të ardhmen dhe do të zevendësohen me struktura të mbyllura./ATSH/