Katër zyrtarët e drejtorisë së kadastrit në Fushë Kosovë mohojnë fajësinë

Katër zyrtarët e drejtorisë së kadastrit në Fushë Kosovë mohojnë fajësinë

Drejtori i Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë të Komunës së Fushë Kosovës, Jakup Ternava dhe tre zyrtarët e tjerë të kësaj komune Mevlude Nishori, Ejup Gerguri dhe Liridona Mustafa-Sadiku, e kanë konsideruar veten të pafajshëm për akuzat e prokurorisë, me të cilat ata ngarkohen me veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurorit Rafet Halimi, e akuzuara Mevlude Nishori deklaroi se, me 18 mars 2016, ka përpiluar një vendim me të cilin prona ishte transferuar nga familja Kutllovci te Drashkoviq, por këtë e kishte bërë pa vetëdije, pasi ishte referuar në një kontratë të vjetër.

“E pranoj por e kemi bërë në lajthitje, pa vetëdije, bartja është bërë në bazë të një kontrate përshkruese e cila është shumë e vjetër, gabimisht ka hy parcela në fjalë”, tha Nishori.

Por një deklarim të tillë, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Hamdi Ibrahimi, nuk e konsideroi si pranim të fajësisë nga ana e të akuzuarës.

Ndërsa, edhe tre të akuzuarit e tjerë i mohuan në tërësi akuzat me të cilat janë ngarkuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykatësi Ibrahimi i njoftoi të akuzuarit se brenda afatit prej 30 ditëve kanë të drejtë të kundërshtojnë provat e aktakuzës dhe në këtë mënyrë edhe të kërkojnë që e njëjta të hudhet poshtë si e pabazuar.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë të 30 shtatorit 2019, Mevlude Nishori akuzohet se më 18 mars 2016, si zyrtare ligjore për regjistrimin e hipotekave në Komunën e Fushë Kosovës, ka tejkaluar kompetencat e saja, ashtu që edhe pse nuk ka qenë detyrë dhe përgjegjësi e saj në bazë të vendit të punës, ka përpiluar aktvendimin me të cilin ka revokuar vendimin me nr.91/2008 të datës 19 qershor 2008, që kishte të bënte me bartjen në Operatin Kadastral për ngastrën me nr.00451/1, me sipërfaqe prej 1162 metër katror,  e cila ishte bartur në emër të Selim Kutllovcit, Bislim Kutllovcit, Zymer Kutllovcit dhe Xhafer Kutllovcit.

Prokuroria pretendon se me vendimin e përpiluar nga ajo, prona ishte kthyer në emër të pronarit të mëparshëm Spiro Drashkoviç, edhe pse për këtë njësi kadastrale, më 25 gusht 2015, Gjykata Themelore Prishtinë kishte caktuar masë të përkohshme të sigurisë.

Në aktin akuzues thuhet se në aktvendimin e përpiluar nga ana e Nishorit, në të njëjtën ditë ishte nënshkruar nga ana e drejtorit të Drejtorisë për Gjedoezi, Kadastër dhe Pronë, Jakup Ternava dhe sipas prokurorisë në këtë mënyrë ai ka tejkaluar pozitën e tij zyrtare, me qëllim të përfitimit për vete apo personin tjetër.

Tutje, sipas aktakuzës, duke i referuar në vendimin e njëjtë, të përpiluar nga ana të akuzuarës Mevlude Nishori, e të nënshkruar nga ana e të akuzuarit Jakup Tërnava, e akuzuara si zyrtare ligjore në Drejtorinë për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronë ka ndryshuar operatorin kadastral të pronës e cila kishte një masë të përkohshme, të caktuar nga ana e Gjykatës.

Prokuroria, po ashtu pretendon se para se të përpilohet vendimi i datës 18 mars 2016, nga ana e Nishorit e të nënshkruar nga ana e Tërnavës, i akuzuari Ejup Gërguri, më 25 pill 2013, si refrenet i ndërrimeve në Kadastër në Komunën e Fushë Kosovës, kishte lëshuar certifikatën më numër 05-951-2281/2013, në bazë të së cilës parcela 00451/1, ishte kthyer në gjendjen e mëparshme pa u përmbushur kushtet ligjore për këtë certifikatë, me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër, me ç ‘rast iu ka shkaktuar dëm të dëmtuarve, përkatësisht familjes Kutollovci. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi