Dënohet me burg inspektori në Shtime i akuzuar për keqpërdorim detyrë

Dënohet me burg inspektori në Shtime i akuzuar për keqpërdorim detyrë

Gjykata Themelore në Ferizaj, të martën, e ka dënuar me një vit burgim, inspektorin e ndërtimit në Shtime, Taulant Salihaj, i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Ibrahim Idrizi, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, raporton “Betimi për Drejtësi”.

I akuzuari është i obliguar gjithashtu t’ia kthejë të dëmtuarit shumën rreth 1058 euro, në emër të paushallit gjyqësor të paguaj shumën prej 50 euro si dhe shumën 50 euro në emër të fondit për kompensimin e viktimave.

Sipas aktakuzës së ngritur më 14 mars 2019, nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, i pandehuri Taulant Salihaj akuzohet se në shtator të vitit 2017 dhe në prill të vitit 2018, në cilësi të personit zyrtar, si inspektor ndërtimi në Komunën e Shtimes, me qëllim të përfitimit të pasurisë së kundërligjshme, kishte shfrytëzuar detyrën e tij dhe kishte tejkaluar kompetencat zyrtare, në atë mënyrë që nga i dëmtuari, Haxhi Shabani, fillimisht kishte marrë shumën prej 500 euro për përpilimin e planit të shtëpisë së parë, si dhe 580 euro për përpilimin e shtëpisë së dytë, me qëllim që t’ia rregullonte dokumentet ndërtimore.

Siç thuhet në aktakuzë, edhe pse detyra e tij kishte qenë që t’i ndalonte ndërtimet pa leje, ai kishte lejuar të dëmtuarin Shabani që t’i ndërtojë dy shtëpitë pa e pajisur me leje.

Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi