Ish-drejtori i Qendrës së Shëndetit Mendor në Gjakovë mohon sërish fajësinë

Ish-drejtori i Qendrës së Shëndetit Mendor në Gjakovë mohon sërish fajësinë

Ish-drejtori i Qendrës së Shëndetit Mendor në Gjakovë, Ismet Bardhoshi, është deklaruar sërish i pafajshëm për mosraportim të pasurisë, në seancën fillestare të mbajtur të martën, pasi që rasti është kthyer në pikën zero.

Rasti i të akuzuarit Bardhoshi është kthyer në fillim pasi që gjykatësi i këtij rasti, Mentor Bajraktari, ka kaluar në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Gjakovë dhe tani lënda në fjalë i është ndarë gjykatësit Drilon Haraçia.

Pasi gjykatësi Haraçia i njoftoi palët për këto ndryshime, i akuzuari Bardhoshi dhe mbrojtësi i tij, avokati Prenk Pepaj, deklaruan se mbesin prapa parashtrimeve të bëra në seancën fillestare të mbajtur më 25 tetor të këtij viti.

Në këtë të fundit, pas leximit të aktakuzës nga prokurori Nazmi Krasniqi, i akuzuari Bardhoshi ishte deklaruar se nuk e pranon fajësinë për veprën penale me të cilën ngarkohet.

Ai kishte thënë se nuk është deklarim i rremë, por ka qenë deklarim i gabuar, pasi që, sipas tij, as që e ka ditur që është pronar i parcelës në fjalë dhe se pas njoftimit nga AKK-ja, ai i ka dhënë sqarimet e duhura në afatin ligjor lidhur me faktin se në atë pronë evidentohet ai si pronar.

Seanca e shqyrtimit të dytë është caktuar të mbahet më 27 dhjetor, në ora 9:30.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, e ngritur më 16 nëntor 2018, Ismet Bardhoshi po akuzohet se në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, përkatësisht drejtor i Qendrës së Shëndetit Mendor në Gjakovë, ka qenë i detyruar ligjërisht që ta bëjë deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dobisë tjetër pasurore ose detyrimeve financiare, nuk paraqet të dhënat kërkuara në deklaratë nga 1 marsi 2017.

Sipas aktakuzës, ai akuzohet se nuk ka paraqitur të dhënat e kërkuara për periudhën nga 1 janar deri më 31 dhjetor të vitit 2016, duke mos shënuar në formularin e deklarimit të pasurisë të 23 marsit 2017, sipërfaqen e saktë të paluajtshmërisë në pronësinë e tij, në zonën kadastrale Sheremet të Gjakovës, të siguruar dhe vërtetuar nga Agjencia Kadastrale e Kosovës, më 21 korrik 2017, dhe Komuna e Deçanit e 8 shkurtit 2018, e që në deklaratë janë paraqitur tokë bujqësore 6000 metra katrorë dhe një banesë prej 80 metra katrorë, ndërsa në certifikatë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës të 14.7.2017, sipas fletës poseduese figuron të jetë pronar i paluajtshmërisë, në sipërfaqe prej 11.001.25 metra katrorë, të gjitha në emër të tij.

Për këtë, sipas aktakuzës po akuzohet se ka kryer veprën penale “mosraportim apo raportim i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve tjera financiare” nga neni 437 parag.2 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi