Rama: Ushtria e Kosovës është shtylla e shtetit

Rama: Ushtria e Kosovës është shtylla e shtetit

Ushtarët e FSK-së do të parakalojnë për herë të parë me mandat të ri ushtarak. Forca e Sigurisë sot  do të shënojë Ditën e Forcës me flamujë e emblema të reja për secilën njësi.

Në një intervistë për Radio Kosovën Komandanti i Përgjithshëm i FSK-së Gjeneral Lejtnant Rrahman Rama ka thënë se është hera e parë që FSK shënon “Ditën e Forcës” me mision dhe mandat të ri ushtarak, pas fillimit të fazës së tranzicionit.

Intervistën me Gjeneral-ljetnant Rrahman Ramen e ka zhvilluar gazetarja jonë Mejreme Tahirukaj.

 

RADIO KOSOVA: Gjeneral Rrahman Rama, si po e feston vitin e parë FSK-ja, tani me mision të ri si Ushtri e Republikës së Kosovës?

Gjeneral Rrahman Rama: E kam thënë disa herë që ndihemi mirë në kuptim të realizimit të planit tonë. Ne po e festojmë vitin e parë si ushtri e Kosovës. Më gëzon fakti se të gjitha obligimet dhe detyrat që i kemi para vetes i kemi përmbushur edhe përtej pritëshmërive. Mund të them se i kemi ruajtur kapacitetet që i kemi siç është rasti në Shqipëri , Njësitet e specializuara janë të trajnuara, janë të pajisura mirë me të gjitha pajisjet moderne. Disa herë e kam potencuar se këto kapacitete që i kemi aktualisht kemi nevojë jo vetëm si Forcë por edhe si shtet. Me vjen mirë që i kemi këto kapacitete dhe kushdo që ka nevojë jemi të gatshëm por edhe për nevojat tona nuk diskutohet.

RADIO KOSOVA: Gjeneral, si po rrjedh procesi i tarnzicionit të FSK, a ka sfida me të cilat përballeni në këtë rrugëtim?

GJENERAL RRAHMAN RAMA: Sa i përket tranzicionit jemi mirë. Tash na presin obligime dhe detyra të reja për t’u përgatitë për misionin dhe mandatin e ri që e kemi. Duke filluar prej trajnimeve dhe pajisjeve me moderne. Jemi mirë pasi që kemi përkrahje të jashtëzakonshme prej partnerëve strategjikë dhe vetë NATO-s. Jemi të hapur për bashkëpunim me të gjithë partnerët. Nuk e shoh ndonjë problem në realizimin e planit gjithëpërfshirës të tranzicionit.

RADIO KOSOVA: Gjeneral Rama, a është përmbyllur procesi i plotësimit të infrastrukturës ligjore për FSK-në pas shndërrimit të saj në ushtri të vendit?

GJENERAL RRAHMAN RAMA: Ende nuk është një vit dhe ne kemi punuar më shumë rreth infrastrukturën ligjore, punë administrative më shumë. Dokumentet bazë për funksionim të Forcës me mandatin  dhe mision të ri, kanë përfunduar. Tash kemi më shumë rregullore që duhet të ndryshohen.

RADIO KOSOVA: Sa i përket procesit të  rekrutimit të  kadetëve të rinj të FSK-së, a janë bërë përparime në këtë drejtim?

GJENERAL RRAHMAN RAMA: Mund të them se këtë vit i kemi marrë 700 ushtarë të rinj, sepse ata kanë përfunduar të gjitha obligimet dhe trajnimet. Tash janë të sistemuar nëpër njësite. Bazuar në planin tonë, do të kemi rekrutime edhe vitin që vjen.

RADIO KOSOVA: Gjatë vitit të kaluar, por edhe gjatë këtij viti disa ushtarë nga komuniteti serb janë larguar nga FSK. Në mesin e rekrutëve të rinj a ka pjesëtarë të komunitetit serb dhe komuniteteve të tjera?

GJENERAL RRAHMAN RAMA:  Po ka serbë dhe pjesëtarë të  komuniteteve të tjera. Unë e ndiej veten shumë mirë pavarësisht presioneve që i kanë pasur nga shteti fqinj. Kanë mbijetuar dhe ne kemi rekrutuar edhe pjesëtarë të rinj që janë të integruar mirë dhe nuk kemi asnjë problem. Do të vazhdojmë me këtë trend edhe në rekrutimet e ardhshme. Nuk shoh ndonjë problem, pavarësisht presioneve, ata i kanë mbijetuar këtyre presioneve .

RADIO KOSOVA: Po sa i përket pajisjeve si qëndron puna, a janë bërë përparime në këtë drejtim?

GJENERAL RRAHMAN RAMA: Realisht pajisjet individuale dhe kolektive i kemi disa, por jemi në proces të blerjeve të reja. I kemi nënshkruar disa kontrata që janë shumë të rëndësishme për funksionimin e forcës dhe të ushtrisë. Ne të njëjtën kohë ne do të vazhdojmë me këto blerje. Jemi në proces dhe kemi nënshkruar disa kontrata që janë të rëndësishme për të ardhmen, prej automjeteve taktike por edhe sistemin e ri të armatimit. Nëse nuk i kemi pajisjet moderne, atëherë unë personalisht nuk kam të drejtë të kërkoj llogari prej dikujt.

RADIO KOSOVA: Gjeneral, është thënë se FSK do ta marrë në shfrytëzim aeroportin e Gjakovës . A jeni duke e shfrytëzuar këtë aset?

GJENERAL RRAHMAN RAMA: Aeroporti me vendimin e qeverisë është pronë e FSK-së. Ne i kemi njësitë tona atje. Jemi në pastrim dhe ri rregullim të ambientit atje dhe kemi përkrahje prej partnerëve tanë që kanë investuar atje. Ata do të vijnë dhe do të bëjnë një rivlerësim të pajisjeve. Është një aset i mirë edhe për ushtrinë por edhe për Kosovën.

RADIO KOSOVA: Gjeneral, sa atashe të FSK-së i keni emëruar deri më tani nëpër ambasadat e vendit?

GJENERAL RRAHMAN RAMA: I kemi në shtatë vende të emëruar aktualisht, kemi emëruar edhe të tetin dhe po presim akreditimin nga shteti italian. Është një diplomaci ushtarake që neve na ka ndihmuar në takimet bilaterale, sepse kjo na lehtëson punën dhe koordinimi është shumë i lehtë.

RADIO KOSOVA: Gjeneral, çfarë mund të na thuash  për shkollimin jashtë vendit të kadetëve të rinj nëpër akademitë prestigjioze ushtarake?

GJENERAL RRAHMAN RAMA: I kemi 47 kadetë në gjashtë shtete në akademi prestigjioze, baza kryesore është Vest Point, ku kemi dy kadetë të cilët shkollimin e përfundojnë vitin e ardhshëm. Vlen të theksohet se ne kemi marrë edhe dy pozita në SHBA, një do të jetë në Vest Point dhe një që për herë të parë si Kosovë do ta kemi një kadet në Forcat Ajrore të SHBA-së. Ketë vit ne i kemi marrë të gjitha masat dhe i kemi dërguar pjesëtarët tanë nëpër shkolla bazuar në marrëveshjet që kemi me vendet e caktuara. Ne do të vazhdojmë me shkollimin e tyre.

RADIO KOSOVA: Gjeneral, sa marrëveshje bilaterale  i keni arritur apo nënshkruar me ushtritë e vendeve të tjera?

GJENERAL RRAHMAN RAMA: Ne aktualisht i kemi 14 marrëveshje bilaterale, duke përfshirë State partnership dhe partneritetin me Garden e Ajova-s . Jemi në proces edhe me disa vende që në të ardhmen do të nënshkruajmë marrëveshje. Është në interesin tonë dhe të Kosovës që sa më shumë të kemi marrëveshje bashkëpunimi. Orientimi jonë është i qartë, të  jemi pjesë e NATO-s.

RADIO KOSOVA: Gjeneral, duke synuar bërjen e FSK-së pjesë të NATO-s , a ka FSK-ja kapacitete të mjaftueshme për misione jashtë vendit?

GJENERAL RRAHMAN RAMA: Ne për herë të parë i kemi dy instruktorë që janë në Mbretërinë e Bashkuar  si instruktorë që i trajnojnë të tjerët për misione paqeruajtëse. Pra, edhe ky është një mision. Por ne jemi në proces dhe shumë shpejt njësitit tona do të jenë në mision me partnerët tanë strategjikë. Jemi duke i bërë përgatitjet. Nuk po e them datën dhe kohën, por jemi në proces.

RADIO KOSOVA: Gjeneral, a do ta shohim FSK-ën me emblema  dhe flamuj të ri?

GJENERAL RRAHMAN RAMA:Në aspektin ligjore 27 Nëntori është dita e FSK-së .Të gjitha njësitet do të jenë të rreshtuara me emblema dhe flamuj të ri, por edhe me grada të reja. Të gjitha këto janë të dekretuara nga presidenti. Pra, secila njësi do ta ketë emblemën e re, flamurin e ri si dhe gradat e reja.

RADIO KOSOVA:Gjeneral Rama, cila është porosia e juaj në këtë ditë kaq të rëndësishme për FSK-ën por edhe për Kosovën?

GJENERAL RRAHMAN RAMA: Kemi shumë porosi, por çka është shumë më rëndësi është se FSK-ja është duke u zhvilluar dhe duke u pajisur me pajisje modern e gatshme të jetë krah për krah të vendeve partnere strategjike,dhe të jemi të ndërveprueshëm. Inkurajoj të rinjtë dhe të rejat që të aplikojnë për FSK-në, sepse këtu e kemi të ardhmen. FSK-ja, pra Ushtria e Kosovës është shtylla e shtetit, dyert tona janë të hapura. Do të jemi në shërbim të vendit dhe të të gjithë qytetarëve pa dallim.

 

 

 

.

Autor: Mejreme Tahirukaj, Radio Kosova