Ndërpritet për disa minuta gjykimi për rastin “Toka”

Ndërpritet për disa minuta gjykimi për rastin “Toka”

Mungesa e mbrojtësit të Shaban Sylës, avokatit Agon Curri, ka bërë që të ndërpritet për disa minuta gjykimi për rastin e njohur “Toka”, ku për vepra të ndryshme penale që lidhen me krimin e organizuar akuzohen Azem Syla dhe të tjerët

Në këtë rast, Curri ka pasur autorizimin zëvendësues nga avokatja Adelina Hoxha, mirëpo asnjëri prej tyre nuk u paraqit në seancën e së mërkurës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Duke pas për bazë faktin se mbrojtja është e detyruar në këtë çështje penale, do të ndërpritet seanca për pak minuta, në mënyrë që në ndërkohë të sigurohet prezenca e njërit nga këta dy mbrojtës”, deklaroi gjykatësi i rastit, Beqir Kalludra.

Në seancën e së mërkurës janë paraqitur dëshmitari Faton Majaci dhe dëshmitari bashkëpunues V.A, ndërsa mungojnë Idriz Kadriu, për të cilin gjykatësi Kalludra tha se gjykata nuk ka të dhëna për vendbanimin e tij.

“Ky dëshmitar nga shkresat e lëndës nuk ka të dhëna se është dëgjuar ndonjëherë në çfarëdo cilëse, përveç që figuron emri i tij në fund të aktakuzës i propozuar në cilësi të dëshmitarit”, tha Kalludra

Përmes Idriz Kadriut, gjykatësi Kalludra tha se janë munduar ta sigurojnë edhe prezencën e dëshmitarit tjetër, Muhamet Kadriu, por sipas tij një gjë e tillë nuk ka qenë e mundur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, ky shqyrtim nga fillimi i gjykimit është karakterizuar me zvarritje, në masën më të madhe, në kohën që gjykohej nga gjykatësit e EULEX-it.

Më 12,13 dhe 15 dhjetor të vitit 2016, ishte mbajtur seanca fillestare, në të cilin Azem Syla dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për veprat penale me të cilat ngarkohen.

Pas seancave fillestare, mbrojtja brenda afatit prej 30 ditësh, kishte paraqitur kundërshtimet e tyre për provat dhe kërkesat për hedhjen e aktakuzës.

Kryetari i atëhershëm i trupit gjykues, gjykatësi Arkadiusz Sedeck, pasi kishte pranuar kundërshtimet e mbrojtjes, kishte refuzuar të njëjtat dhe më 4 prill 2017, kishte konfirmuar aktakuzën në shkallën e parë, ndërsa pas ankesave në Gjykatën e Apelit, shkalla e dytë e kishte konfirmuar aktakuzën më 26 tetor 2017.

Sedeck, fillimin e shqyrtimit gjyqësor e kishte caktuar, pas më shumë se një viti nga vendimi i Apelit, më 9 janar 2018, por e njëjta kishte dështuar për shkak të mosplotësimit të trupit gjykues.

Edhe pse kishte caktuar shumë seanca të tjera, gjyqtarët e EULEX-it nuk kishin mundur që të fillojnë këtë shqyrtim, pasi EULEX-i hoqi dorë nga ky rast dhe lënda kaloi të gjyqtari vendor Beqir Kalludra.

Ndërsa, pas disa dështimesh seanca e parë e këtij shqyrtimi ishte mbajtur më 3 shtator 2018, ndërsa fjala hyrëse në këtë rast ishte dhënë në seancën e 25 qershorit 2019.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit, që ishte ngritur më 24 tetor 2016 përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.

Bashkë me Sylën, në këtë proces janë duke u gjykuar edhe Shaban Syla, Arton Vila, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Gazmend Gashi, Lubisha Vujoviq, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi, Ramadan Mavraj.

Pjesë e kësaj aktakuze kanë qenë edhe Nuhi Uka, Shqipe Maxhuni, Ilaz Syla, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha, por për dy të parët është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të siguroi prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njejtit është vecuar procedura.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.

Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi