Solidarizimi shqiptar

Solidarizimi shqiptar

Ballsor Hoxha

Jemi në një gjendje të ankthit ndaj rrezikut kolektiv. Dhe mbizotërimi i këtij ankthi po ndodh. Prej organizimeve me pafund tonelata të ndihmave e deri tek nismat individuale me disa pako vaj e disa thasë miell, kosovarët po reagojnë ndaj tragjedisë së ndodhur në Shqipëri me shpirt. Është gjendje e solidaritetit total dhe bashkëndjesisë mbarëshqiptare. Por ky nuk është vetëm solidarizim, kjo është edhe kujtesë kolektive e gjendjes nën kërcënim kolektiv. Të ngjashmërisë së situatës, kërcënimit të shoqërisë për jetë.

Tërmetet, si edhe fatkeqësitë tjera natyrore në tërë historinë e njerëzimit kanë vëmendësuar dhe vëmendësojnë njeriun dhe njerëzimin për pandihmëshmërinë e tij në tokë përballë saj dhe përballë tyre. Pavarësisht përparimit dhe zhvillimeve të sofistikuara në njerëzim megjithatë Durrësi me rrethinë mbetet viktimë me një jete të ankthshme dhe të pasigurtë. Dhe atë jo vetëm në këto ditë por edhe në të ardhmen. Mbetet zonë e rrezikuar dhe kujtesë për vegjëlinë e njeriut.

Derisa viktima e banorëve të Durrësit me rrethinë dhe më gjerë mbeten viktimë e katastrofave natyrore, është krejtësisht i qartë edhe një ankth tjetër në anën tjetër të kufirit shqiptaro – shqiptar. E që është ankthi i kosovarit ndaj ngjashmërisë së njeriut nën kërcënim kolektiv. Por në rrethanë psikologjike. Është e qartë kjo vjen për shkak të tragjedisë së vuajtur nga dora e njeriut. Tragjedi e cila kishte mobilizuar një botë të tërë në ndihmë ndaj saj.

Tërë mobilizimi kosovar prej grumbullimit të imtësirave higjienike, deri tek milionat e grumbulluar në ndihmë Shqipërisë në tërë varfërinë e saj, strehimi dhe mishërimi me vuajtjen e shqiptarëve, janë të bashkëndjerit ndaj njeriut në radhë të parë, në një situatë tragjike. Një përpjekje për të ndarë ndiesinë e të qenit i rrezikuar për jetë, strehë dhe familje.

Kujtesa kolektive kosovare ka hasur në një situatë të ngjashme me të veten pikërisht në shqiptarët e Shqipërisë. Edhepse njerëz të zakoshëm dhe të panjohur, dy vëllezërit kosovar të vdekur në termetin e Durrësit kanë tubuar mijëra qytetar në varrimin e tyre. Dhe aq më shumë që kanë qenë prezent edhe dy nga personalitetet më të njohura politike kosovare në varrimin e tyre. Ky nuk është vetëm solidarizim i sipërfaqshëm kosovar dhe mbarëshqiptar. Ky është solidarizim shpirtëror gati se religjioz ndaj një gjendje kur njeriu dhe shoqëria jonë është e rrezikuar në esencë dhe në dhembje të thellë.

Derisa në situata të fatkeqësive të mëdha natyrore njeriu vëmendësohet për vegjëlinë e tij në tokë, njeriu vëmendësohet për fenomene krejtësisht të pandjeshme ndaj tij. Gjë që krijon një situatë në të cilën ndjehet esenca e jetës së tij me tokën ku jetojmë. Një gjendje ku mbizotëron vëmendja e shpirtërores dhe pajtimit me vegjëlinë e fatit njerëzor. Dhe këtë pikërisht po e ndajnë së bashku të gjithë shqiptarët. Në përpjekje për të zbutur ankthin përballë tragjedisë.

Ankthi i të qenit i rrezikuar kolektivisht nga diçka e pandjeshme si tërmeti apo katastrofa natyrore, apo i të qenit i rrezikuar për jetë kolektivisht nga dora e njeriut, siç ishin kosovarët në të nëntëdhjetat, është realitet. Mirëpo në këto situata të rënda ndodh edhe kthimi i shoqërive të vetëdijshme për të njëjtin, për ankthin e kësaj gjendjeje. Sipas asaj që po ndodh në tërë shoqërinë shqiptare, në të gjitha shtetet në të cilat jetojnë, ky ankth është zbutur krejtësisht dhe është mbizotëruar nga solidarizimi kolektiv në ndihmë ndaj njëri tjetrit.   

Të qenit përballë kërcënimit kolektiv, siç i ka noddhur shqiptarëve në të kaluarën, si atë më të largët dhe në këtë të afërt, ka krijuar fenomenin e solidarizimit total shqiptar, siç ishte në 1999, siç është sot. Shoqëria shqiptare ka mbizotëruar ankthin e ekszistencës në të gjitha rastet, dhe kjo që po ndodh është njeriu n esencën e tij dhe në humanitetin e tij të të qenit viktimë.