Presidentja e Komisionit Europian: BE në krahë të Shqipërisë pas krizës

Presidentja e Komisionit Europian: BE në krahë të Shqipërisë pas krizës

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, këtë të shtunë, ka kontaktuar me kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Me anë të një statusi në Twitter, kryetarja e ekzekutivit europian, shkruan se kryeministri Rama i ka treguar asaj për situatën e vështirë që po kalon Shqipëria pas lëkundjes së fortë të tërmetit.

“Sapo fola me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, i cili më tregoi për situatën e vështirë pas tërmetit. Kam respekt të madh për popullin shqiptar, të cilët kanë qëndruar të qetë pavarësisht rrethanave. Dua që ata të dinë se Bashkimi Europian është në krah të tyre, me dhembshuri dhe me veprime”.   

Presidentja e KE-së bën me dije gjithashtu se të mërkurën, do të niset drejt Shqipërisë edhe Janez Lenarçiç, Komisioneri Evropian për Menaxhimin e Krizave. “I kam kërkuar atij të më informojë për situatën”, shkruan ndër të tjera Von der Leyen.

Vetë Lenarçiç, në një status të tij shkruan se “pas fazës së kërkim-shpëtimit, Bashkimi Europian është në gatishmëri për të ofruar ndihmë shtesë. Do të shkoj në Shqipëri të mërkurën për të marrë informacione për nevojat më urgjente. Shqipëria, nuk është vetëm në këto momente të vështira”, përfundon Komisioneri Europian për Menaxhimin e Krizave.