Parku i Inovacionit në Prizren nuk mund të pranojë më shumë njerëz

Parku i Inovacionit në Prizren nuk mund të pranojë më shumë njerëz

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, sot së bashku me drejtorin e Drejtorisë për Emergjencë dhe Siguri, Faruk Dakaj, i cili njëkohësisht është përcaktuar edhe si koordinator ndër-institucional për të strehuarit në Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve, si dhe drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren, kolonel Faton Alija, kanë mbajtur konferencë për të njoftuar lidhur me gjenden aktuale të personave të strehuar në Parkun e Inovacionit dhe jashtë tij.

Haskuka duke i falënderuar të gjithë që po angazhohen për t'i ndihmuar bashkëkombasit të prekur nga tërmeti, tha se duhen të bëhen disa hapa të mëtutjeshme dhe të ketë mbështetje më të fortë nga institucionet qendrore për ta menaxhuar dhe përmirësuar këtë gjendje.

Lidhur me Parkun e Inovacionit dhe Trajnimeve (PIT), kryetari Haskuka tha se ky Park i ka përmbushur të gjitha kapacitetet që ka në dispozicion, duke strehuar mbi 500 persona, ndërkaq një numër prej rreth 120 personave për të cilët nuk ka pasur vend në PIT u është bërë një zgjidhje e përkohshme duke i vendosur ata në sallën e edukatës fizike të gjimnazit "Gjon Buzuku" në Prizren. Por, për shkak se kjo sallë nuk ka kushte elementare për strehim, pasi që mungojnë shtretërit dhe në aspektin sanitar salla nuk mund të përballojë kaq shumë njerëz, nëpërmjet institucioneve qendrore është kërkuar të gjendet një zgjidhje duke i zhvendosur ata dikund tjetër sa më shpejtë që të jetë e mundur.

Kryetari ritheksoi se ushqimi për të strehuarit në PIT deri më tani është siguruar nëpërmjet donacioneve, ndërsa në ndërkohë është duke u shikuar mundësia e funksionalizimit të kuzhinës mobile në bashkëpunim me shoqatat humanitare. Po ashtu edhe shërbimi mjekësor vazhdon të jetë në dispozicion gjatë gjithë kohës.