Ndërmarrja Publike Banesore rinovon 150 hyrje të banesave në Prishtinë

Ndërmarrja Publike Banesore rinovon 150 hyrje të banesave në Prishtinë

Ndërmarrja Publike Banesore në Prishtinë i ka rinovuar 150 hyrje të banesave kolektive në kryeqytet, punime këto me vlerë prej rreth 800 mijë euro. Drilon Pireva nga kjo ndërmarrje, tha për Radio Kosovën se intervenimet janë bërë me kërkesë të qytetarëve, ndërsa i ftoi edhe qytetarët tjerë që të bëjnë kërkesa për rinovim dhe mirëmbajtje. 

Ka përfunduar renovimi i rreth 150-të hyrjeve të banesave kolektive në Prishtinë, nga Ndërmarrja Publike Banesore, në vlerë nga 5 mijë deri në 20 mijë euro, varësisht nga katet e ndërtesës. Udhëheqësi Operativ në këtë Ndërmarrje, Drilon Pireva, tha për Radio Kosovën se renovimet janë bërë bazuar në kërkesat e qytetarëve.

“Projekti ka filluar në shtator të 2017-ës dhe dëmtimi i hyrjeve ka qenë tepër i madh pasi që këto hyrje nuk administrohen që nga viti 1990, qysh prej masave të dhunshme të njohura për ne, nuk kanë pasur administrim. Shkalla e dëmtimeve është jashtëzakonisht e lartë por dita-ditës po i vjen fundi këtij kaosi 30 vjeçar dhe hyrjet do të administrohen të gjitha nga NPB.”

“Fasadohen muret, plasaritje në mure, dyshemeja e dëmtuar, ngjyrosen muret, sistemohen kabllot e internetit në kanale prej knaufi, vendoset ndriçimi me sensorë, vendosen kutitë e hidrantëve, riparohen kapakët e rrymës të cilat kanë telashe të mëdha, ngjyrosen dhe riparohen parmakët e shkallëve, vendosen mbajtësit e dorës në parmak, ndërrohen xhamat e thyer, riparohen dhe ngjyrosen kornizat e dritareve”.

Pireva tha se ndër projektet e ardhshme të NPB-së, është intervenimi në mbylljen e gropave dhe riparimi i rrugëve në kryeqytet, por edhe rregullimi i fasadave të jashtme dhe i çative në lagjet e urbanizuara. Këto të fundit,  do të realizohen me pilot-projekt, kostoja e të cilit pritet të jetë e lartë.

Autor: Drita Vitia