Demaku: Në shkolla u takuam me tmerrin

Demaku: Në shkolla u takuam me tmerrin

Themeluesi i Qendrës së Mendimit Pozitiv në Kosovë, Daut Demaku, në një letër publike drejtuar mediave, ka folur për gjendjen e rënd nëpër shkollat dhe kolegjet private, duke thënë se mund të quhen gjithçka por jo shkolla.

Ai derisa ka kërkuar nga të gjithë redaktorët që t’i shohin problemet nga afër e në veçanti problemet e shkollave, ka shkruar se në këtë vjeshtë, me disa bashkëpunëtorë të Qendrës së Mendimit Pozitiv, kishin vizituam pesë-gjashtë qendra të shkollave të mesme dhe aty ishte tmerruar nga gjendja e ulet e arsimit.

“U tmerrova. U tmerruam, sepse u takuam me tmerrin. Kjo vizita e fundit, që ua bëra këtyre shkollave më rrëzoi përtokë. Këto shkolla mund t’i quaje gjithçka tjetër, vetëm shkolla jo. Secili prej drejtorëve e kishte të njëjtin tregim: unë këtu jam vetëm figurë. Partitë m’i dërgojnë profesorët, partitë m’i dërgojnë punëtorët ndihmës dhe unë, drejtori, jam vetëm zbatues i urdhrave. Pse kundërmojnë shkollat si ËC-të publike, pse nuk sheh nxënës me libër, pse nuk sheh disiplinë, pse nuk sheh asgjë që i përngjet shkollës – jo, të dashurit e mi, për njeriun që i ka dy kokrra mend – kjo është më e rëndë se vdekja. Shkollat tona qenkan vende që prodhojnë vota për partitë politike, shkollat tona qenkan vende për punësime të militantëve partiakë, shkollat tona qenkan vende për shitjen e notave e të provimeve, për shitjen dhe blerjen e diplomave... Por shkollat tona nuk qenkan vende ku ndërtohet edukata, ku fitohet dija, ku përgatiten brezat e së ardhmes së këtij vendi. I vizitova, pastaj, edhe disa kolegje dhe universitete. E njëjta gjë por në nivel pak më të lartë, sepse këtu provimet dhe diplomat po shiteshin shumë më shtrenjtë”, ka shkruar ai.

Ai tha se çdo shkollë që e ka vizituar është përballur me të njëjtin tregim nga të gjithë drejtorët “Unë këtu jam vetëm figurë, partitë m’i dërgojnë profesorët, partitë m’i dërgojnë punëtorët ndihmës dhe unë, drejtori, jam vetëm zbatues i urdhëresave”, e për Demakun kjo gjendje e ulet në arsim konsiderohet më e rënd se vdekja.