Diskutohet përfshirja e Kuvendit në planifikimin urban

Diskutohet përfshirja e Kuvendit në planifikimin urban

Instituti i Prishtinës për Studime Politike organizon ngjarjen e publikimit dhe diskutimit të titulluar “Përfshirja e Kuvendit në planifikimin e qëndrueshëm urban: Hartimi i politikave të favorshme për mobilitetin e qytetarëve, lehtësimin e trafikut dhe mjedis më të shëndetshëm”.

Gjatë kësaj ngjarje do të prezantohet publikimit “PMQU – Një angazhim i përbashkët! Drejt një koordinimi gjithëpërfshirës institucional dhe zhvillim të politikave për draftimin dhe zbatimin e planeve të mobilitetit të qëndrueshëm urban”. Ky publikim përvijëzon zhvillimin e Planeve të Mobilitetit të Qëndrueshëm Urban, dhe ofron informata dhe rekomandime të vlefshme për koordinimin në nivelin kombëtarë, si dhe shfrytëzimin optimal të burimeve dhe kapaciteteve për të mundësuar qytete më të shëndetshme dhe të qasshme.  
 
Më pas, një panel prej profesionistëve dhe politikëbërësve me fushëveprimtari të ndërlidhura, do të ndajnë eksperiencën dhe ekspertizën e tyre, me qëllim që të kuptojmë situatën që kemi përballë në rrafshin e mundësive teknike, të mungesave në legjislacion, ndërlidhjeve shoqërore dhe vullnetit politik karshi zbatimit të PMQUve dhe planifikimit të qyteteve të orientuara kah qytetarët në mënyrë afatgjate. Më tutje, do të kuptojmë më mirë se në ç’gjë mund të përkushtohet niveli qendror në mënyrë që t’i kontribuojë këtij qëllimi.