Prokuroria kërkon dënimin e ish-drejtorit të Urbanizmit dhe inspektorëve

Prokuroria kërkon dënimin e ish-drejtorit të Urbanizmit dhe inspektorëve

Prokuroria Themelore në Gjilan, pas kthimit të rastit dy herë në rigjykim, sërish ka kërkuar dënimin e ish-drejtorit të Urbanizmit në Gjilan, Valon Shefkiu, si dhe inspektorëve të ndërtimit në këtë komunë, Baki Azemi, Merita Cana Shabani dhe Shkëndije Mahmuti-Hajdini.

Katër të pandehurit akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare që u ishte besuar me ligj, ashtu që gjatë periudhës kohore 2013-2014, nuk kishin ndërmarrë veprime zyrtare për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje, si dhe rrënimin e objekteve në të cilat është tejkaluar leja e ndërtimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Arben Kadriu, në fjalën e tij përfundimtare, ka kërkuar që të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.

“Prokuroria Themelore në Gjilan, mbetet pranë aktakuzës dhe konsideron se janë vërtetuar faktet relevante se të akuzuarit i kanë kryer veprat penale me te cilat ngarkohen, dhe i propozoj gjykatës që ata të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit”, ka thënë prokurori Kadriu.

Edhe përfaqësuesi i Komunës së Gjilanit, Arben Mehmeti deklaroi se pala e dëmtuar mbetet pranë thënieve në shqyrtimet fillestare, duke iu bashkëngjitur ndjekjes penale si dhe duke kërkuar kompensim materialo-juridik.

Ndërkaq, mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Masar Morina, Ymer Huruglica, Mustafë Musa dhe Shemsedin Piraj, pasi fjalët e tyre përfundimtare i kanë dorëzuar me shkrim, ata shkurtimisht kanë kërkuar nga gjykata që të mbrojturit e tyre t’i lirojë nga akuza, pasi siç kanë thënë ata, në asnjë rast nuk është vërtetuar fajësia e të akuzuarve.

Kryetari i trupit gjykues, Agim Ademi, shpalljen e aktgjykimit për këtë rast e ka caktuar të bëhet më 4 dhjetor 2019, në ora 8:20.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjilan, më 30 qershor 2017, në mungesë të provave, i ka shpallur të pafajshëm dhe i ka liruar nga akuza katër të akuzuarit, të cilët akuzoheshin se nuk kanë ndërmarrë veprime zyrtare për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje, si dhe rrënimin e objekteve në të cilat është tejkaluar leja e ndërtimit.

Ndaj këtij vendimi, prokuroria kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit dhe e njëjta kishte vendosur që ta kthej këtë rast në rigjykim.

Gjykata Themelore në Gjilan më 8 qershor 2018, ashtu si në gjykimin e parë, edhe në atë të dytë, të akuzuarit në mungesë të provave i kishte shpallur sërish të pafajshëm.

Por sërish, ndaj këtij vendimi të Themelores, ankesë në Apel kishte parashtruar Prokuroria Themelore në Gjilan, me ç’rast kjo e fundit rastin edhe njëherë e kishte kthyer

në rigjykim.

Ky gjykim zhvillohej sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan më 4 shkurt 2016, sipas së cilës të akuzuarit Valon Shefkiu, Baki Azemi, Merita Cana-Shabani dhe Shkëndije Mahmuti-Hajdini, në cilësi të inspektorëve ndërtimorë kanë keqpërdorur detyrën zyrtare që u ishte besuar me ligj.

Sipas aktit akuzues, katër të akuzuarit gjatë periudhës kohore 2013-2014 nuk kishin ndërmarrë veprime zyrtare për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje ndërtimi, si dhe rrënimin e objekteve në të cilat është tejkaluar leja e ndërtimit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit në mënyrë të kundërligjshme dhe në kundërshtim me interesat dhe qëllimet e Komunës së Gjilanit, nuk kishin ekzekutuar masën për rrënimin e këtyre objekteve, duke iu mundësuar personave të ndryshëm përfitim pasuror. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi