Kërkohet dënim për ish-ministrin për deklaratat rreth masakrës së Reçakut

Kërkohet dënim për ish-ministrin për deklaratat rreth masakrës së Reçakut

Të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurori special Atdhe Dema, ka kërkuar dënimin e ish-ministri të Administratës dhe Pushtetit Lokal (MAPL), Ivan Todosijeviq, i akuzuar për veprën penale “nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”.

Ndërkaq, i akuzuari ka mohuar fajësinë, përderisa, avokati i tij Nebojsha Vlajiq, ka kërkuar lirimin e tij nga akuza.

Todosijeviq akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) lidhur me deklaratat fyese për masakrën e Reçakut, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurori Dema, në fjalën e tij përfundimtare, ka deklaruar se aktakuza është vërtetuar në tërësi, përkitazi me fajësinë e të akuzuarit dhe përgjegjësinë e tij penale.

Sipas tij, nga provat e nxjerra në këtë shqyrtim gjyqësor është vërtetuar në mënyrë të plotë se i akuzuari ka kryer veprën penale si në aktakuzë, duke vërtetuar në tërësi vendin, kohën dhe mënyrën e kryerjes së kësaj vepre penale.

“Po ashtu, u vërtetua në tërësi se veprën penale në fjalë, i akuzuari e ka kryer me dashje. Këtë e them duke u thirrur në provat e propozuara në aktakuzë se në ditën kritike i akuzuari ka qenë ministër në Qeverinë Kosovës, dhe ky fakt assesi nuk e mohon marrjen apo prezencën në ndonjë tubim qytetar, mirëpo i njëjti duke pas parasysh pozitën të cilën e ka mbajtur e duke mos marr fare në konsideratë se është edhe qytetar i Republikës së Kosovës deklaron kundër një populli të tërë atë që është cekur në përshkrimin faktik të kësaj aktakuze”, ka thënë prokurori Dema.

Sipas tij, në mes të tjerash, i akuzuari ka deklaruar “janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi”.

Ai ka pyetur se për cilët terroristë bëhet fjalë dhe nëse duhet që i tërë populli të konsiderohet terrorist.

“I akuzuari gjatë tërë kohës që prej momentit që është deklaruar në Polici të Kosovës, po ashtu në Prokurori Speciale, si edhe këtu para jush, në asnjë moment nuk e mohoi se ka deklaruar ashtu. Mirëpo, arsyetimi i mbrojtjes së tij është se kjo na qenka liri e shprehjes dhe se fjalimi i tij nuk paska shkaktuar trazira. Për çfarë lirie të shprehjes bëhet fjalë, aq më tepër duke marr parasysh pozitën e të akuzuarit nuk ka mundur të vërtetohet nga prokuroria sepse një fjalim i këtillë nuk paraqet liri të shprehjes”, ka deklaruar prokurori Dema.

Ai ka thënë se një deklarim i tillë nuk është liri e shprehjes.

“Nuk është liri e shprehjes kur ofendohet një popull i tillë. Nuk është liri e shprehjes kur ofendohen viktimat dhe ju lutem më kuptoni drejtë, nuk flas për viktima se përgjegjësi e kujt ka qenë që është shkaktuar, flas për viktimat që botërisht janë pranu që kanë qenë të ekzekutuar dhe vrarë në mënyrën më të rëndë të mundshme”, deklaroi prokurori Dema.

Tutje, prokurori tha se i akuzuari thotë se në ditën kritike kur ka dhënë fjalimin se ka qenë në cilësi të politikanit lokal.

“Çfarë dallimi paraqet a është politikan lokal, kur gjithë e keni parasysh se i njëjti është qytetar i Republikës së Kosovës, fillimisht dhe për së dyti me ligj është i ngarkuar me përgjegjësi të caktuara, pozitën e ministrit”, tha prokurori Dema.

Ai ka kërkuar nga gjykata që mbrojtjes së akuzuarit mos t’ia fal besimin e që të akuzuarin ta shpall fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit.

“Konsideroj se kjo gjykatë do t’i merr për bazë rrethanat rënduese, vet faktin se i akuzuari në ditën kritike ka qenë ministër, veprën penale e ka kryer në mënyrë të vrazhdë dhe ka treguar vendosmëri në kryerjen e kësaj vepre penale”, ka thënë ai.

Në vijim, ka deklaruar se do të kishte dashur të gjej një element të vetëm që të kërkojë të aplikohet ndonjë rrethanë lehtësues, por një gjë e tillë tha se nuk i lejohet.

“I njëjti ka pasur detyrë të respektoj detyrat dhe të drejtat e njeriut, fillimisht si ministër e pastaj edhe si qytetar. Me deklarimin e tij ka mundur të shkaktojë trazira dhe ka ofenduar një popull të tërë. Unë do ua lë një pyetje të hapur “ku fillon për juve liria e shprehjes dhe ku përfundon”, tha në fund ai.

Në anën tjetër, avokati Vlajiq, deklaroi se vepra penale fare nuk ekziston e se aktakuza është në kundërshtim me ligjin penal të Kosovës, neni 10 të Konventës Evropiane mbi Të Drejtat e Njeriut, e cila flet për lirinë e shprehjes dhe se e njëjta aplikohet në Kosovë.

Sipas tij, akti akuzues është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

“Për paragrafin 1 të nenit 147, do të thotë për pjesën elementare të këtij neni, është e nevojshme të parashihet që veprimi inkriminues e rrezikon rendin publik. Kjo nuk ka ndodhur dhe as që ka qenë e mundur. Sikur kjo të kishte ndodhur, me siguri do të ndodhte një gjë e tillë. çka e ka ndaluar që të ndodh kjo gjë, kjo deklaratë e dhënë nga ana e të mbrojturit tim, nuk e ka pasur një potencial të tillë. Nuk ka pasur as një tubim publik, demonstrata në rrugë, bllokime të rrugëve, asgjë të ngjashme”, ka thënë ai.

Tutje, avokati Vlajiq, mori shembull edhe rastin e ish- ministrit Aleksander Jabllanoviq.

“Përkujtojmë kur ministri i atëhershëm Jabllanoviq, kur në Gjakovë është gjuajtur autobusi me gurë, atë ai që e ka thënë për nënat gjakovare në Gjakovë, për shkak të dhënies së deklaratës fyese nga ana e tij, për këtë deklaratë kanë qenë shtatë ditë protesta të mbajtura e bllokada të rrugëve. Ndërsa, Jabllanoviqi, nuk është akuzuar. Për këtë deklaratë të dhënë të Todosijeviqit, askush s’ka pas dert, asgjë nuk ka ndodhur, nuk ka pasur potenciale që të shkaktohet rrezikimi i rendit publik”, ka thënë ai.

Ai tha se sa  i përket cilësimit të paragrafit të dytë, këtu duhet të ekzistojë pasoja, prishja e rendit, dhuna dhe pasoja të tjera.

“Na mbetet edhe çështja tjetër se Ivan Todosijeviq, a e ka keqpërdorur detyrën zyrtare. Nuk e ka keqpërdorur, edhe pse atëherë ka qenë ministër, gjegjësisht ministër në dorëheqje, edhe ai mund tu drejtohet qytetarëve si qytetar. Mund të flas në çfarëdo tubimi si qytetar. Gjë që me 24 mars 2019, edhe ka qenë. Sikur të kishte qenë në cilësinë e zyrtarit, si ministër, sigurisht që prokurori do të siguronte disa prova nga qeveria”, tha ai.

Ai deklaroi se të gjithë janë në dijeni se si janë raportet ndërnacionale mes vete.

“Situata është e tillë, ata persona të cilët janë edhe viktima të bombardimit të NATO-s, atyre njerëzve nuk mund t’iu drejtoheni si ministër i Qeverisë së Kosovës. Ata njerëz e konsiderojnë Qeverinë e Kosovës për të gjitha të këqijat që u kanë ndodhur në jetë. Nuk them që kanë të drejtë, por kjo është kështu. Andaj, që Ivan Todosijeviq  po tu kishte drejtuar si ministër, më së paku bile do të fishkllonin nga publiku, nuk do ta lejonin që të vazhdonte me fjalimin”, ka thënë avokati Vlajiq.

Sipas tij, duhet të bëhet dallimi mes përgjegjësisë politike dhe përgjegjësisë penale.

“Ministri është politikisht përgjegjës për atë që ka thënë dhe ai është larguar, sinqerisht të kisha qenë edhe unë Ramush Haradinaj do ta largoja. Mirëpo, këtu përfundon përgjegjësia”, ka thënë ai.

Tutje, tha se ajo çfarë shkruan në aktakuzë se ka deklaruar i mbrojturi i tij, nuk do të gjendet në CD, pasi sipas tij, nuk ka deklaruar ashtu.

“Duhet të verifikoni, prokurori duke shfrytëzuar të drejtën e tij në gjuhën shqipe e ka përdor versionin në shqip lidhur me deklarimin e tij dhe lidhur me përkthimin. Ndërsa, tani aktakuza e përpiluar në gjuhën shqipe, na është përkthyer neve në gjuhën serbe, për ne kjo aktakuzë është në rregull sepse i akuzuari është i nacionalitetit serb.  Ajo që është në aktakuzë, nuk ekziston në CD, nuk ka “gjakprije”, nuk e ka thënë këtë ai”, tha avokati Vlajiq.

Ai ka kërkuar që i mbrojturi i tij të lirohet nga akti akuzues, pasi sipas tij, ai asnjëherë nuk ka qenë i përfshirë në ndonjë çështje penale e as nuk i ka bërë keq askujt.

“Ndoshta me këtë do të merret edhe Gjykata Kushtetuese, ndoshta edhe Strasburgu, ekzistojnë dhjetëra aktgjykime që ajo gjykatë i ka marr lidhur me shprehjen e lirë. Asnjë nuk e kam gjetur që do të vërtetonte se kjo është vepër penale”, ka thënë avokati Vlajiq.

Kurse, i akuzuari është pajtuar me fjalën e mbrojtësit të tij, përderisa paraprakisht para fjalës përfundimtare ka dhënë mbrojtjen e tij, ku është përgjigjur vetëm në pyetjet e avokatit të tij.

Ndërkaq, më pas është mbrojtur në heshtje.

Gjatë dhënies së mbrojtjes së tij, ai ka thënë se më 24 mars të vitit 2019, ka folur në një tubim në Zveçan.

Ai ka deklaruar se në atë tubim ka folur në cilësinë e një qytetari të thjeshtë dhe si anëtar i partisë “Lista Serbe”.

Ai tha se mund të thuhet se gjatë këtij tubimi ka folur në cilësi të një politikani lokal, kurse avokati Vlajiq i tha se prokurori special në aktakuzë thotë se i akuzuari ka folur në cilësi të ministrit të Qeverisë së Kosovës.

“Jo, assesi në atë cilësi, së pari në këtë tubim nuk kam ardhur në detyrën zyrtare, në këtë tubim nuk ka pasi as anëtar të pushtetit lokal dhe tubimi ka qenë i tillë që unë nuk kam mundur të drejtohem si politikan dhe ajo që ishte fakti atëherë se gjendja ime faktike ka qenë ajo që unë kam qenë ministër në largim. Kështu që, edhe njëherë dëshiroj të theksoj se nuk ka qenë askush nga anëtarët e kabinetit, nuk kam folur në cilësinë e ministrit, por kam folur si politikan lokal”, ka thënë ai.

Tutje, tha se është e vërtetë që deklarata që ka dhënë është incizuar, mirëpo ajo që dëshiron të theksojë është se në asnjë moment nuk ka pasur qëllim që të ofendojë dikë.

“Ka pasur viktima edhe nga ana e shqiptarëve edhe nga ana e serbëve dhe si njeri po ashtu më dhemb edhe dhimbja e nënave shqiptare edhe nënave serbe. Njëjtë më dhemb edhe qarja e fëmijëve shqiptarë, ashtu edhe fëmijëve serbë. Jam rritur në një familje të tillë që të respektoj të gjithë”, ka thënë i akuzuari.

Ai tha se në ministrinë që ka udhëhequr gjatë periudhës 4 vjeçare ka pasur jashtëzakonisht raporte të mira dhe marrëdhënie të shëndosha, e posaçërisht me shqiptarët në Kosovë.

“Edhe njëherë, në fund dëshiroj të theksoj se në asnjë moment nuk kam pasur dëshirë dhe as qëllim që të ofendoj dikë e jo bile që kam qëllim të bëj një gjë të tillë”, tha në fund ai.

Gjatë seancës të së hënës, palët në procedurë kanë dhënë edhe fjalët e tyre hyrëse para trupit gjykues.

Prokurori Dema ka deklaruar se gjatw kwtij shqyrtimi do tw vwrtetohet aktakuza nw kwtw rast, derisa mbrojtja e tw akuzuarit ka thwnw se do tw vwrtetohet pafajwsia e tij.

Ndryshe, incizimi i kësaj seance me anë të kamerave nga ana e mediave është lejuar vetëm deri në dhënien e fjalës hyrëse.

Mbrojtja ka deklaruar se nuk u pengon incizimi, mirëpo kanë deklaruar se kur i akuzuari të jap mbrojtjen e tij, nuk do të kishin dashur që të bëhet incizimi.

Në anën tjetër, prokurori Dema, ka deklaruar se nuk i pengon një gjë e tillë.

“Nga ky moment e tutje bëhet ndërprerja e incizimit me kamerë, por që mediumet dhe gazetarët mund të qëndrojnë në sallë sepse shqyrtimi është i hapur dhe mund të dëgjojnë procesin”, ka deklaruar kryetari i trupit gjykues, Musa Konxheli.

Shpallja e aktgjykimit në këtë rast pritet të mbahet 5 dhjetor, nga ora 9:30.

Ndryshe, Ivan Teodosijeviq, ishte ministër i Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), në Qeverinë e Kosovës, nga radhët e Listës Serbe, e cila është në bashkëqeverisje me PDK-në, AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe AKR-në.

Kryeministri Ramush Haradinaj, në prill të këtij viti, e kishte shkarkuar atë nga kjo pozitë, pas deklaratës që kishte dhënë lidhur me masakrën e Reçakut.

Sipas aktakuzës së ngritur më 28 qershor 2019, i pandehuri në cilësinë e Ministrit të Administratës dhe Pushtetit Lokal, duke keqpërdorur pozitën apo autorizimin e tij, me dashje, ka nxituar dhe përhapur publikisht urrejtje, përçarja dhe mos durim midis grupeve kombëtare, racore dhe etnike që jetojnë në Republikës e Kosovës.

Sipas akuzës, me datë 24 mars 2019, në rrugën “Kralj Milutin” në Zveçan, në cilësinë e pjesëmarrësit dhe folësit në tubimin qytetar kundër intervenimit të NATO-s, në vitin 1999 në Kosovë, të ashtuquajtur “në kujtim të viktimave të bombardimeve të NATO-s”, shprehet se “Arsyeja për agresionin në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi… Masakra e Reçakut ishte trillim… Janë terroristët shqiptarë që e trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi… Për këtë, sot e kësaj dite askush nuk ka dhënë përgjegjësi…Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiak të mirë serb dhe policë në vendin e tyre të punës… gjak pirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit edhe pas ardhjes të së ashtuquajturës mision paqësor në Kosovë e Metohi”, veprime këto të cilat mund të prishin rendin publik ose të shkaktojnë pasoja tjera më të rënda  në Republikën e Kosovës. /Betimipërdrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi