Kuvendi i Maqedinisë Veriore riadreson nismën për protokollin në Qeveri

Kuvendi i Maqedinisë Veriore riadreson nismën për protokollin në Qeveri

VMRO-DPMNE-ja kërkoi zyrtarisht nga Kuvendi që t’i kërkojë Qeverisë propozimin e Ligjit për ratifikimin e protokollit përfundimtar për anëtarësim në NATO. Sipas partisë së Hristijan Mickoskit, pushteti po tenton që duke flijuar anëtarësimin në NATO, t’i shtyj zgjedhjet e parakohshme parlamentare të parapara për 12 prill 2020.

"Këtë e bëjmë nga nevoja se cdo ditë e më tepër kërkojnë mënyra t’iu shmangur zgjedhjeve. Në Aleancë ka praktika të tilla ratifikimi. Mundësia për ta zgjidhur është e madhe, me qëllim që të mos kemi probleme. Zvarritja e ratifikimit është thjeshtë kumar që po e bën LSDM-ja", deklaroi Nikolla Micevski, Deputet i VMRO-DPMNE-së.

Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela kërkon që protokolli përfundimtar të miratohet më 11 dhjetor. Sipas tij, BDI po tenton anulimin e zgjedhjeve me qëllim që të mos mund të votojnë shqiptarët.

"Të mos jetë objekt NATO-ja i qëllimeve disa aktorëve politik të cilat duan ta shtyjnë datën e zgjedhjeve të caktuar për 12 prill. Ne jemi të vetëdijshëm pse e kërkojmë. Shfrytëzojnë këtë moment që të arrijnë sa më pak qytetarë të jenë prezent më 12 prill këtu. Oponenti ynë politik ka qenë më i zëshëm në drejtim të kësaj, duke marrë për shkas NATO-n dhe për të shty 12 prillin. Sipas gjitha gjasave ato frikësohen kur shohin shumë shqiptar dhe më 12 prill do të ketë shumë shqiptar pasi do të vijë edhe diaspora", tha Ziadin Sela, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi thotë se nisma është dorëzuar në adresë të gabuar, por që do t’i ri-adresohet organit ekzekutiv.

"Neni 188 sanksionon që për propozim dhe nismë për miratim të ligjit për ratifikim të marrëveshjeve ndërkombëtare është kompetencë e Qeverisë. Për aspekt formal, derisa një dokument dorëzohet tek unë dhe nuk është kompetencë e Kuvendit, është obligim procedural që një akt i tillë, cilido qoftë ai t’i adresohet organit kompetent, këtë rast t’i adresohet Qeverisë që ta merr në shqyrtim kërkesën e deputetëve", pohoi Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit.

Opozita kërkon që protokolli përfundimtar për anëtarësim në NATO të miratohet duke marrë për shembull Malin e Zi. Ekspertët vlerësojnë se kjo nuk paraqet problem Kushtetues, por se në propozim-ligj duhet saktësuar se deri tani protokolli është ratifikuar nga të gjitha vendet, përjashtim Spanjës e cila akoma nuk ka Kuvend funksional. Javën e kaluar, nënkryetarja e Qeverisë, Radmilla Shekerinska deklaroi se zgjedhjet e 12 prillit mund të shtyhen në rast se cenohet anëtarësimi në NATO. /Alsat-m