Dilema, sfida, vuajtje, gëzime, dashuri, frikë…

Dilema, sfida, vuajtje, gëzime, dashuri, frikë…

Fundi i një libri gjendet në fillimin e tij ashtu sikurse lajmi kryesor që jepet në krye. Te romani “Shtatë udhë” i autorit Rrahman Paçarizi çdo gjë rrjedh kështu.

“Shtatë udhë” është libër që mund të lexohet duke nisur nga mesi, nga fundi a nga fillimi.

Është rrugëtim jashtëserik mes rreshtash. Udhët, që të shtatat, çojnë te një gjuhë e thjeshtë dhe rrëfim që rrjedh edhe pasi t’i kesh kryer faqet. Rrëfimi prapë rrjedh, lehtë, qartë, këndshëm dhe ti duhet të jesh aty.

Tregimet e mëvetësishme lidhen me njëra-tjetrën në mënyrë të pashkëputshme duke shpalosur penën e autorit që është kalitur në mes të letërsisë, gjuhës dhe gazetarisë.

Të gjithë tregimet shoqërohen me përemrin pronor “Ime” që mund të sugjerojë elemente të autobiografisë, por edhe të përkatësisë.

Lexuesi kalon nëpër dilema, sfida, vuajtje, gëzime, dashuri të humbura, mendime, veprime dhe ëndrra që mu për këtë i duken si të ishin të tijat.

Këtu lind një pyetje që lexuesi nuk do mund t’i bishtnojë: sa autobiografik është romani? Përgjigjja ka pak rëndësi, se një libër nuk duhet lexuar për ta njohur më mirë autorin e tij. Çdo libër i lexuar është humbje dhe rigjetje e vetes. Është njohje e vetes.

Shtatëshi është numri që iu përgjigjet kapitujve dhe botës së rrëfimeve unike dhe goditëse, që herë çon në përsiatje e herë të kujton gjëra që mund t’i kesh harruar.

Autori, ndonëse është edhe gjuhëtar, nuk kompleksohet me përdorimin e gjuhës. Shkruan me thjeshtësinë që do ta kuptonte edhe bujku, por edhe kryetari i akademisë për: Zotin, Helenën, çmendjen, pushtetin, luftën, lirinë, vdekjen.

Përdorimi i beftë i varieteteve të ndryshme gjuhësore bën që rrëfimi të kapërdihet më lehtë duke krijuar një ambient të përshtatshëm prej të cilit lexuesi zor se mund ta marrë arratinë. Rrëfimi, në të gjitha pjesët e tij, nuk i përket regjistrit krejt standard të gjuhës. Gjuha letrare përbëhet nga pjesorja e shkurtuar dhe paskajorja në gegë që janë më të afërta me të folurit e përditshëm. Falë përdorimit të këtillë të gjuhës, në funksion të rrëfimit, leximi bëhet më i lehtë, sikurse edhe përfytyrimi i plakut, fëmijës, gruas, plakës, të riut, të resë, akademikut, fshatarit, qytetarit, mashtruesit, e njeriut sido qoftë ai. Në bazë të mënyrës së të folurit, nga fjalët e zgjedhura ndërtohet edhe ideja se ç’zone a regjioni i përket personazhi. Duke qenë studiues i gjuhës, autori kujdeset që ta fshijë pluhurin e harresës së disa fjalëve të moçme – arkaizmave dhe lexuesi i vëmendshëm, mes rreshtash, mund të “zë në thua” edhe në fjalët e reja – neologjizmat.

Ka edhe lojë të vazhdueshme me fjalët dhe fusnotat në roman, që nuk vijnë nga shpjegimi i bazuar në studim, por nga koka e vet narratorit. Kjo sjell ndërmend faktin se gjuha merr dhe jep, ndryshon dhe nuk duhet pasur frikë nga ajo.

Vjen aq e mirëpritur bota psikologjike e personazheve, pikat ku takohen dhe ndahen karakteret dhe jeta e tyre. Asaj bote i përgjigjen gjuha dhe të bëmat e tyre.

Narratori, që është aty dhe gjithkund, qëndis çmendjen, shkëlqimin dhe rënien e njeriut, frikën e ankthin, absurdin, dhembjen, njohjen, pushtetin, ndarjen, lamtumirat, të rëndën, të lehtën, gëzimin…

Narratori lëviz në vend, kohë e ndjenja të ndryshme. Nis me sytë kureshtarë të fëmijës, keqkuptimeve të fëmijërisë që madhështia e figurës së të rriturit i turbullon edhe më. Lëviz drejt erozionit shpirtëror te të riut që në çast verbërie kërkon Helenën e vet, drejt gjyshes që me tregimet e saj sfidon mësimet e biologjisë e shkencës, dajës që e njofton me Zotin dhe vetes që e largon nga ai… për të përfunduar ashtu si jeta – me vdekjen.

Ndeshja me Helenën nuk është më një mit. Ajo i përket rrëfimtarit dhe kamerierit që ngatërrojnë rolet në kërkim të Helenës së tyre. Të dy e gjejnë dhe e humbin atë në një çast verbërie. Kërkimi i Helenës i shërben fanitjes dhe rishfaqjes së ndjenjës sublime.

Filozofia që është e thjeshtë (veç në dukje), përmblidhet në dy fraza: “Unë jam dy: një që guxoj dhe një që ëndërroj”, dhe “Vdekja është si Helena e Helena është si vdekja: nuk mundesh me i zgjedhë, ato zgjedhin”.

Pavarësisht prej faktit se autori është studiues, në roman paraqet një botë veç letrare, diçka të atillë që mund të përkthehet vetëm si fiksion, jo si fakt, jo si e vërtetë dhe diçka që doemos ka bazë të qëndrueshme studimi diku.

Kompleksiteti në zbërthimin e asaj që është shkruar shtohet kur lexuesi nis e vret mendjen për atë që është, për atë që ëndërron, për atë që (s’)guxon, për vdekjen dhe situatat kufitare.

“Shtatë udhë” të çon aty ku fundi i një libri gjendet në fillimin e tij dhe lajmi kryesor jepet në krye. “Shtatë udhë” në fund të kthen te vetja dhe ta kujton fundin e pashmangshëm.