Zjarr dhe viktima në një kamp të migrantëve në Greqi

Zjarr dhe viktima në një kamp të migrantëve në Greqi

Autoritetet greke njoftuan se një person ka vdekur, pasi një zjarr shpërtheu në një kamp refugjatësh në ishullin Lesbos.

Departamenti i zjarrfikësve tha se zjarri shpërtheu para agimit të së enjtes, në kampin Kara Tepe.

“Ekipet e zjarrfikësve u përgjigjen menjëherë”, tha departamenti.

Ende është e paqartë se çfarë e shkaktoi zjarrin.

Greqia vazhdon të jetë në vijën e parë të krizës së migracionit në Evropë dhe në periudhën e fundit ka pasur një rritje të numrit të migrantëve që hyjnë në territorin grek nga Turqia.

Migrantët janë kryesisht nga zonat e konfliktit në Lindje të Mesme.

Qeveria ka thënë se planifikon të transferojë 20.000 azilkërkues nga ishujt deri në fund të vitit, në objekte të tjera.

Më 28 nëntor, Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, Filippo Grandi kritikoi kushtet në kampin e migrantëve në Lesbos të Greqisë.

"Kushtet në të cilat jetojnë njerëzit janë jashtëzakonisht shqetësuese. Ekziston një ndjenjë e madhe dëshpërimi dhe mungesa e perspektivës e vështirëson situatën", tha Grandi.

Qeveria e re konservatore e Greqisë, e zgjedhur në korrik, ka marrë një qëndrim më të ashpër ndaj krizës së migrantëve në krahasim me paraardhësen e saj të majtë. (Rel)