Basha: Nevojë urgjente për grupe vlerësimi nga inxhinierë profesionistë

Basha: Nevojë urgjente për grupe vlerësimi nga inxhinierë profesionistë

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ishte sot në Lezhë ku ka takuar banorë të cilët janë në dilemë, të rikthehen apo jo në banesat e tyre të dëmtuara, sepse ende nuk është bërë vlerësimi përfundimtar nëse janë të banueshme.

“Është shumë e rëndësishme të bëhet gjithçka për të zbutur tronditjen e madhe që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit dhe të rikuperojmë pasojat që la pas në mijëra banesa të dëmtuara dhe të shkatërruara”, tha Basha.

Sipas tij, ka nevojë urgjente të shtohen grupet e vlerësimit. “Edhe pse kanë kaluar 10 ditë nga tërmeti, ende në shumë banesa nuk është bërë vlerësimi duke lënë banorët në pasiguri”, theksoi Basha.

“Realiteti nuk ndryshon duke e mohuar, por duke u përballur me të dhe duke dhënë zgjidhje. Zgjidhja fillon që nga ndihmat emergjente për të cilat banorët kanë nevojë, e deri te certifikimi zyrtar i banesave”, tha Basha.

Sipas tij, vëmendja në këto ditë të vështira për vendin, duhet të shkojë te profesionistët e vërtetë, sepse fatmirësisht vendi ynë ka shumë inxhinierë të zotë, por ka munguar vullneti për t’i vënë në punë. “Nuk ka kohë për të humbur! Është i pakuptueshëm mosangazhimi i shumë inxhinierëve që kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar vullnetarisht!”, tha Basha./ATSH/

 


MË SHUME NGA Mbarëshqiptare