Qytetet më të mira dhe më të këqija për ekspertët e jashtëm në Zvicër

Qytetet më të mira dhe më të këqija për ekspertët e jashtëm në Zvicër

Qytetet Zug dhe Basel janë renditur në dhjetëshen më të mirë në botë për jetesë të ekspertëve në mërgim, por renditja e ulët e qyteteve të tjera zvicerane tregon që vendi merr vlerësime të përziera nga ndërkombëtarët.

Qytetet Zug dhe Basel janë ngritur në listën më të fundit të qyteteve globale për jetesën më të mirë për “expat”-tët, siç quhen ekspertët e jashtëm që shkojnë për të punuar në vende të ndryshme. Këto qytete kanë zënë vendin e tetë përkatësisht të dhjetin nga mbi 80 qytete  të shqyrtuara në këtë sondazh. Cilësia e jetës ishte faktori kryesor, së bashku me sigurinë, transportin publik dhe mungesën e ndotjes, përcjell albinfo.ch.

Qytetet e tjera zvicerane janë renditur relativisht dobët, me Lausannen (36-të), Bernin (38-të), Cyrihun (41-të) dhe Luganon (53-të) – pasuar nga Gjeneva me performancë të dobët në 69-të. Në Cyrih dhe Bernë, më shumë se 50 për qind e të anketuarve thanë se e kishin të vështirë të bënin miq të rinj.

Në edicionin e vitit 2018, asnjë qytet në Zvicër nuk arriti në 20 vendet e para, me Bazelin dhe Zug-un që ishin në vendin e 22-të dhe 23-të. Lausanne (44-të), Gjeneva (56) dhe Cyrihu (57) u përfshinë gjithashtu në listën e vitit 2018.

Megjithëse disa të anketuar treguan se ishte gjithashtu e vështirë të bësh miq në Zug dhe Basel. Bazeli u rendit shumë lart në përballueshmërinë e çmimit të banesave dhe cilësinë e përgjithshme të jetës.

Studimi nga “Internations” mori në konsideratë 82 qytete të ndryshme në të gjithë botën, duke intervistuar 20,000 njerëz nga 178 vende me 187 kombësi. Studimi merr në konsideratë një sërë faktorësh, përfshirë cilësinë e jetesës urbane, ekuilibrin e jetës në punë, financat dhe banesën, koston e jetesës dhe lumturinë.

Sipas një deklarate nga autorët, secili faktor ka edhe peshim në rezultatin përfundimtar. Përveç dy qyteteve zvicerane të renditura ndër dhjetë të parat, qytetet më të mira të renditura nga expat-ët janë kryesisht nga Evropa dhe Azia.

Katër qytetet aziatikë – Taipei, Kuala Lumpur, Ho Chi Minh City dhe Singapori – përbëjnë katër vendet e para, me Montrealin të renditur në vendin e pestë.Lisbona (e gjashta), Barcelona (e shtata) dhe Haga (e nënta) bashkohen me Zug dhe Basel në dhjetëshen më të mirë.