4 mijë forca policie u angazhuan për përballimin e situatës së tërmetit

4 mijë forca policie u angazhuan për përballimin e situatës së tërmetit

Plot 4 mijë forca policie janë angazhuar gjatë këtyre ditëve, që pas tërmetit të 26 nëntorit.

Në një deklaratë për mediat, drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu bëri të ditur planin e masave të marra, ndërsa falenderoi të gjithë strukturat për ndihmën që kanë dhënë, transmeton oranews.

"Menjëherë pas rënies së tërmetit, Policia e Shtetit angazhoi në zonat e prekura mbi 4000 forca policie me detyra konkrete, duke nis nga:
-përfshirja në operacionet e kërkim-shpëtimit;
- dhënia e ndihmës së parë për njerëzit që kishin nevojë;
- garantimi i rendit dhe sigurisë;
- disiplinimi i qarkullimit duke i dhënë përparësi qarkullimit të ambulancave dhe ekipeve të zjarrfikëseve;
- sigurimi i pronës së qytetarëve dhe ruajtja e objekteve të dëmtuara, për të mos lejuar futjen e banorëve për shkaqe sigurie" tha Ardi Veliu

Veliu tha se në bashkëpunim edhe me skuadrat e zjarrfikëseve dhe ushtrinë u shpëtuan 39 jetë njerëzish, që kishin mbetur poshtë rrënojave. Ndërsa bëri të ditur shumën monetare të grumbulluar nga forcat e policisë dhe familjarët e tyre.

"Me këtë rast, duke përfituar nga ky komunikim publik, dua të falënderoj një për një, të gjithë punonjësit e Policisë, por edhe familjet e tyre që kontribuuan me vullnet sipas mundësive duke bërë të mundur mbledhjen e shumës 104  milion e 350 mijë lekë, e cila u depozitua ne platformën e-Albania", tha Veliu.

Policia e Shtetit ka ngritur edhe grupe të posaçme me specialistë për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar.

"Nën drejtim të Prokurorive përkatëse po fiksojnë, grumbullojnë dhe administrojnë çdo provë që i shërben hetimit  për të çuar para përgjegjësisë ligjore të gjithë personat që kanë përgjegjësi për ndërtesat që u shembën apo kanë pësuar dëmtime serioze (qofshin biznesmenë  apo nëpunës të administratës)", tha Veliu.