Dënohet me tre vjet e dy muaj burg i akuzuari për tentim vrasje

Dënohet me tre vjet e dy muaj burg i akuzuari për tentim vrasje

Gjykata Themelore në Gjakovë, të premten, e ka dënuar me tre vjet e dy muaj burgim unik të akuzuarin për vrasje të rënë në tentativë dhe armëmbajtje pa leje, Mentor Gola.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Gëzim Pozhegu, i akuzuari Gola, për veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë është dënuar me tre vjet burgim, ndërsa për armëmbajtje pa leje, me gjashtë muaj burgim efektiv.

Më pas, ndaj tij është shqiptuar dënimi unik në kohëzgjatje prej tre vjetësh e dy muaj burgim unik, për të dy veprat penale.

Sipas gjykatësit Pozhegu, pala e dëmtuar është udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore juridike, derisa lidhur me arsyetimin e aktgjykimit tha se palët do ta marrin atë në formë të shkruar.

Në seancën e 4 tetorit 2018, i akuzuari për vrasje të rëndë në tentativë ndaj personit zyrtar, Mentor Gola, ishte deklaruar i pafajshëm, por e kishte pranuar fajësinë për armëmbajtje pa leje, që ishte aprovuar më pas nga gjykata.

Prokuroria Themelore në Gjakovë, aktakuzën ndaj Mentor Golës e ka ngritur më 19 korrik 2018.

Sipas aktakuzës më 5 qershor 2018 në Gjakovë, me dashje ka tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin Lorik Lipoveci nga Gjakova, ku me këtë veprim ka rrezikuar edhe jetën e personave tjerë.

Në aktakuzë thuhet se rasti ka ndodhur në atë mënyrë që natën kritike rreth orës 20:00, i dëmtuari Lorik Lipoveci, kishte pranuar një telefonatë ku personi i ishte prezantuar si Mentor Gola, ku ky i fundit e kishte pyetur atë se “ku je”.

Aty thuhet se pasi që Lipoveci, i kishte thënë se nuk po e njeh, i akuzuari Gola i kishte thënë se “do të më njohësh”.

“Pas 10 minutave rreth orës 20:10, i dyshuari Mentor Gola, kishte shkuar në shtëpinë e viktimës  dhe kishte trokitur në derën e hyrjes, ku i kishte dal gruaja e viktimës dhe fëmijët. Aty i dyshuari Mentor Gola kishte filluar duke shajtë dhe ofenduar “ku është Loriki hë n*** ja q****” dhe fjalë të tjera kërcënuese. Pasi është paraqitur tek dera e hyrjes së shtëpisë së viktimës Lorik Lipoveci, ka shtënë me armë dhe më pas është larguar në drejtim të panjohur”, thuhet në aktakuzë.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprat penale, vrasje e rëndë në tentativë dhe posedim të paautorizuar të armës.

Ndryshe, Policia rajonale e Gjakovës, më 7 qershor 2018, kishte ushtruar kallëzim penal, ndaj të dyshuarit Mentor Gola.

Kallëzimit penal, i ka paraprirë ngjarja që kishte ndodhur vetëm dy ditë më parë, e ku i dyshuari Gola, kishte shtënë me armë zjarri ndaj tani viktimës, Lorik Lipoveci.

Sipas kallëzimit penal, që i referohet deklaratave të dy personave të përfshirë në këtë rast, ngjarja dyshohet se ka ndodhur si pasojë e largimit nga puna të bashkëshortes së tani të dyshuarit Gola nga Kompania Rajonale e Mbeturinave “Çabrati”, e që tani viktima Lipoveci, si sekretar në këtë kompani, kishte qenë i deleguar për ta përfaqësuar atë në rastet gjyqësore.

Lidhur me këtë largim nga puna, sipas deklaratave të tyre, që i referohet kallëzimi penal, bashkëshortja e tani viktimës, kishte ushtruar padi për kontest pune. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi