Disa zyrtarë NOBEL-it do të bojkotojnë ceremoninë e dhënies së çmimit

Disa zyrtarë NOBEL-it do të bojkotojnë ceremoninë e dhënies së çmimit

Shkrimtari austriak pro-serb , Peter Handke, sot do të marrë çmimin e tij Nobel në Stockholm për letërsi, të cilin e kanë kontestuar pothuajse të gjithë.

Madje ish-zyrtarë të lartë të Akademisë Suedeze kanë vendosur që ta bojkotojnë ceremoninë e sotme të ndarjes së këtij çmimin për Handken.

Kështu ka vendosur ish-sekretari i përhershëm i Akademisë suedeze i cili vazhdon të jetë anëtar, Peter England, i cili nuk do të marrë fare pjesë në eventin e ndarjes së çmimin për shkrimtarin austriak përkrahës të Sllobodan Millosheviqit.

“Ta festojë çmimin Nobel për Peter Handken do të ishte një hipokrizi e madhe nga ana ime”, ka thënë England shkruan The Guardian.

Handke dje gjatë ditës ka mbërritur në kryeqytetin suedez prej ku edhe ka mbajtur një konferencë për media me shumë përplasje.

Shkrimtari austriak ka sulmuar gazetarët e pranishëm në konferencë të cilët i kanë bërë pyetje lidhur me përkrahjen që i ka dhënë Sllobodan Millosheviqit dhe rreth asaj se pse në librat e tij nuk shkruan asnjëherë për gjenocidin serb në Bosnje.

Handke pyetjet e tilla i ka cilësuar si “injorante”, duke thënë se nuk dëshiron që të merret me këtë pjesë.

Ndryshe në rrjetet sociale ka filluar edhe një fushatë kundër Handkes. Dikush ka edituar logon e Nobelit, dhe ka shkruar “ Not in my name”.