Testi Pisa dhe gjendja e mbijetesës

Testi Pisa dhe gjendja e mbijetesës

Ballsor Hoxha

Nëse rezultatet e testit global të PISA, që matë aftësitë në edukim të fëmijëve në disa fusha, është gjendje e tmerrshme kjo nuk është vetëm faji i sistemit arsimor, pa e mohuar atë. Në të vërtetë ky rezultat i tmerrshëm kaloi nëpër shoqërinë tonë si një eksplodim tejet i madh, mirëpo secili duke bartur fajin tek tjetri. Faji i takon tërë shoqërisë pa përjashtim.

Mirëpo kjo duhet parë pak më ndryshe se që po vajtohet në shoqërinë tonë. Ajo që pikë së pari duhet të merret në konsiderim gjatë shqyrtimit të rezultatit të PISA-së është se kjo nuk është rënie. Kosova kurrë nuk ka qenë e matur deri para disa viteve, dhe me këtë kjo duhet të ketë qenë gjendja qysh prej kohëve.

Më tutje kjo gjendje e arsimit kosovar duhet parë në dy shtresat e saj. Atë të sistemit arsimor dhe atë të fëmijëve të cilën kalojnë nëpër këtë sistem.

Sistemi arsimor është sistem i dalë afati, prej arsimtarëve të tij, kurikulave dhe deri tek metodologjia e mësidhënies. Në të vërtetë në metodologjinë e mësimdhënies “praktikohen” edhe elemente të metodologjisë bashkëkohore, siç janë ndarja në grupe e nxënësve, projektet etj, mirëpo këto bëhen edhe pa një proces të përkufizuar dhe të përpiktë, dhe në anën tjetër nuk kanë një vlerësim, përcjellje të nxënësit në projektete e tyre, dhe as udhërrëfimin për hartimin e një projekti, Ajo që ndodh është se nxënësit kopjojnë atë që gjejnë në internet dhe me kaq përfundon e tëra.

Në anën tjetër, nxënësit, ata që nuk kanë fare faj, nuk kanë as interesin më të vogël për arsimim dhe për edukim në këto shkolla. Dhe këtu nuk është faji i teknologjisë dhe argëtimit që ofron ajo. Faji është disa shtresor: arsimtari është i huaj në raport me nxënësin; kurikula nuk ka për objekt parësor nxënësin por vetë kurikulën; dhe në fund nxënësi nuk arrin asnjë pozicionim të tij/saj përmes kësaj kurikule brenda sistemit dhe më tutje në tregun e punës së kësaj shoqërie.

Faji megjithëse i takon direkt sistemit të këtij shteti, ai në të vërtetë është i gjithmbarshëm duke përfshirë tërë shoqërinë, prej prindërve e deri tek zyrtarët përgjegjës për arsimim të shtetit të Kosovës. Ajo që duhet të ndodh është se shoqëria jonë duhet të kaloj nëpër një reformë të arsimit dhe të sistemit të saj, duke përfshirë të gjithë. Mirëpo problemi kyç në tërë këtë është vetëdijesimi apo thënë më saktë mungesa e vetëdijes së shoqërisë për një arsim, pikë së pari të shëndetshëm dhe tani edhe arsim kompetent.

Testi PISA është një prej fakteve esenciale të gjendjes së shoqërisë sonë. Shoqëria jonë është e mbetur në shtresën e mbijetesës dhe në këtë të qenit parësore për atë, sigurimi i mirëqenies në nivelin ekzistencial. Pikërisht kjo e nënshtron individin e shoqërisë sonë duke e parë të ardhmen si diçka të paarritshme dhe në jetë të atypëratyshme. Me ç’rast arsimi dhe kompetenca arsimore dhe e edukimit të fëmijëve ka kaluar në një pavetëdijësi të prindërve dhe të tërë shoqërisë.

Problemi është tek vetëdija jonë kolektive dhe tek shuarja e saj në raport me arsimimin i cili vie dhe është nevojë dytësore në raport me mbijetesën dhe sigurimin e mirëqenies ekzistenciale në shoqërinë tonë. Nëse sistemi dhe shoqëria jonë nuk arrin të siguroj një të ardhme, një perspektivë, një siguri arsimi humb vlerën e tij në shoqëri dhe kalon në diçka të paarritshme.

Andaj Testi Pisa krijon një eksplodim aq të thellë dhe gjithëpërfshirës në shoqërinë tonë. Pikërisht ky test na shfaq gjendjen tonë, jo si sistem por si vetëdije e cila ka rënë nën shtypjen e ankthit të mbijetesës dhe që nuk arrin të mendoj dhe as preokupohet me diçka tejet të largët për ku qëndrojmë, ndaj vetë arsimit.