Gjykatat nuk shqiptojnë dënimet e duhura për prerësit ilegal të pyjeve

Gjykatat nuk shqiptojnë dënimet e duhura për prerësit ilegal të pyjeve

Prerja e vazhdueshme ilegale e pyjeve në Kosovë po konsiderohet si gjendje alarmante, e problemi kryesor që po shihet si faktor i prerjeve drunore është shqiptimi i ulët i dënimeve që jep gjykata për kryesit e kësaj vepre.

Këto dënime po konsiderohen më shumë si dënime simbolik se sa ndëshkimore dhe po i inkurajojnë keqbërësit të cilët janë recidivist, për të vazhduar me prerje ilegale.

Në këtë vit shihet se ka rritje të kësaj dukurie në krahasim me vitin paraprak, pasi në vitin 2018, kanë qenë 569 metër kub prerje, kurse në vitin 2019 janë 662 metër kub.

E përgjegjësit e pyjeve thanë se për parandalimin e kësaj dukurie nevojitet një bashkëpunim më i mirë në mes të Policisë, komunës, Agjensionit pyjor dhe gjykatave të Kosovës.

Drejtori i inspektoratit nga Agjencia Pyjore e Kosovës, Besim Zogu, tha për KosovaPress, se gjendja e pyjeve në Kosovë nuk është e mirë, e krejt kjo sipas tij, për shkak të dënimeve të vogla që aplikon gjykata ndaj personave që bëjnë prerjen ilegale të drunjëve.

Ushtrues detyre dhe udhëheqës i sektorit të pylltarisë në komunën e Prishtinës, Musli Halimi, tha se për mirëmbajtjen e pyjeve duhet të jetë një bashkëpunim më i mirë në mes të Policisë, komunës, Agjensionit Pyjor dhe gjykatave të Kosovës.

Kurse ekologu Besnik Lekaj, tha se gjendja e pyjeve në vitin 2019 nuk është aq e kënaqshme për shkak se vetëm në 3 mujorin e parë të këtij vitit mbi 2 mijë hektar janë djegur dhe nëse në Kosovë vazhdon kjo periudhë e prerjeve ilegale të pyjeve, atëherë do të kemi mungesë të pyjeve dhe ndotje të madhe të ajrit.