Pompeo: Do t’u ndalojmë hyrjen në SHBA zyrtarëve të korruptuar

Pompeo: Do t’u ndalojmë hyrjen në SHBA zyrtarëve të korruptuar

Sot, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, sekretari i Shtetit amerikan Mike Pompeo theksoi se Shtetet e Bashkuara do t’i shtojnë përpjekjet për të luftuar korrupsionin në mbarë botën.

Korrupsioni, sipas tij, fuqizon dhe mbështet udhëheqësit autokratë, dobëson besimin tek sistemet demokratike dhe krijon mundësi për aktorë të tretë që të shfrytëzojnë vendet partnere të Shteteve të Bashkuara.

Pompeo njoftoi se gjatë vitit 2019, për shkak të përfshirjes në korrupsion madhor, rreth 40 zyrtarë të huaj dhe anëtarët e familjeve të tyre janë përfshirë nga Departamenti i Shtetit në listën e atyre që u ndalohet hyrja së bashku me familjet në SHBA. Uashingtoni, tha ai, do ta vazhdojë këtë praktikë.

Nga Shqipëria në këtë listë, janë 3 ish-zyrtarë dhe familjet e tyre, që e çojnë në 14 numrin e përgjithshëm të individëve që u ndalohet hyrja në Amerikë. Zyrtari i fundit nga Shqipëria i përfshirë në këtë listë ishte ish-kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako. E njëjta masë është marrë më parë për ish-Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla dhe ish-deputetin socialist Tom Doshi.

Sipas ligjeve amerikane, kur sekretari i Shtetit ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste të mëdha korrupsioni, ose shkelje të të drejtave të njeriut, atij dhe familjes së tij të ngushtë, i ndalohet hyrja në Amerikë.

Ligji që u ndalon hyrjen në ShBA të zyrtarëve të huaj, është një prej mjeteve që ka në dispozicion administrata amerikane për të luftuar korrupsionin dhe shkeljet e të drejtave të njeriut nga zyrtarë të huaj.

Në ndryshim nga ligjet për dhënien e vizave, ku në rast refuzimi, vendimi është konfidencial, ligji që përcakton zyrtarët e huaj si persona jo të përshtatshëm për të hyrë në Amerikë, nuk është konfidencial dhe mund të bëhet publik.

Ky ligj i ka fillesat në vitin 2008, kur Kongresi, synoi të identifikojë dhe të shpallë të papërshtatshëm për të hyrë në Amerikë zyrtarë të huaj të përfshirë në afera korruptive për të shfrytëzuar burimet natyrore të vendeve të tyre.

Në vitin 2012, Kongresi e zgjeroi hapësirën e shtrirjes së këtij ndalimi, duke përfshirë në të termin “raste të mëdha korrupsioni” dhe sqaroi se njoftimi për individët përkatës mund të bëhej publik ose të mbetej privat.

Nga 2017 deri më sot janë rreth 170 zyrtarë dhe ish-zyrtarë shqiptarë të cilëve ambasada në Tiranë u ka refuzuar vizat. Emrat e tyre nuk janë bërë të njohur publikisht.

Në Shqipëri fenomeni i korrupsionit vlerësohet të jetë gjerësisht i përhapur dhe në nivele shqetësuese. Raporti i fundit i Trasparency International, e renditi Shqipërinë në vendin e 99-të, ndryshe nga një vit më parë kur ajo ishte e 91-ta. /tch