Koordinatori Hoti vizitoi komunën e Mamushës

Koordinatori Hoti vizitoi komunën e Mamushës

Rexhep Hoti, Koordinator Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës, ka vizituar Komunën e Mamushës ku është takuar me Kryetarin Abdulhadi Krasniç, Drejtorin Komunal të Arsimit, Cafer Morina si dhe drejtorët e shkollave të kësaj komune. Ata biseduan për garat që po mbahen në kuadër të Programit Nacional për Rininë.

Koordinatori Hoti u nda i kënaqur me suksesin e nxënësve të komunitetit turk në garat e Kreativitetit Kulturor dhe Mendimit Kritik dhe atyre të Diturisë. “Nga garat e organizuara në kuadër të Programit Nacional për Rininë janë shpallur gjithsej 44723 fitues duke përfshirë këtu edhe nxënës të komunitetit turk, në të dyja garat, në të tria nivelet. Komuna e Mamushës në nivelin shkollor ka 33 fitues ndërsa në nivelin republikan ka 7 fitues. Ky sukses i nxënësve të komunës tuaj nuk do të ishte i mundur pa punën dhe përkushtimin e juaj, për çka unë jam shumë i kënaqur. Komuna juaj është shembulli më i mirë i përfshirjes së komuniteteve në organizimet tona”, tha Hoti.

Ndërsa, Kryetari Krasniç falënderoi Koordinatorin Hoti për vizitën dhe tha se Programi Nacional për Rininë është një program i qëlluar pasi që ju është ofruar mundësia edhe nxënësve të komunitetit turk që të shprehin talentet e tyre.

Edhe Drejtori i DKA-së Morinës, falënderoi Hotin për përkushtimin e treguar ndaj nxënësve të komunitetit turk gjatë zhvillimit të garave. Gjithashtu ai përgëzoi drejtorët për kontributin e dhënë në realizimin e Programit Nacional për Rininë.

Në fund të takimit, Koordinatori Hoti ndau mirënjohje për kryetarin e komunës, drejtorin e DKA si dhe drejtorët e shkollave për kontributin e dhënë në organizimin e garave.

 

Autor: RTKlive